Zbulohen detaje për “zhdukjen” e Katica Janevës?!

Shpërndaje

Prokuroria Publike Themelore (PPTH) nuk ka kërkuar masë e posaçme hetimore, për Katica Janevën.

Prokurorja publike, Vilma Ruskovska, në një intervistë për “Kanal 77” hodhi poshtë deklaratën e liderit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski se Janeva ka ndalesë për të dal jashtë shtetit. Ajo tha se prokuroria nuk e ndjek atë. Siç sqaroi, është dhënë urdhër për ekspertizë të telefonit të konfiskuar të Janevës, për të cilën Ruskovska beson se do të mbarojë deri ditën e hënë, por ende nuk e kanë gjetur telefonin e saj të dytë.

“Nga ana e Prokurorisë për krim të organizuar dhe korrupsion nuk është kërkuar masë e veçantë hetimore për Katica Janevën. Ne nuk e ndjekim, a e ndjek dikush tjetër nuk e di. Jo jo nuk është gjetur ende telefoni tjetër”, tha Prokurorja Villma Ruskoska.

Opozitarja VMRO-DPMNE ngre dyshime se pushimi mjekësor i Janevës, është i rrejshëm. Ata dyshojnë se pushimi po përdoret për të mbrojtur Janevën nga hetimi i rastit “Reket”.

“Cili është doktori dhe përse i dha pushim mjekësor Katica Janevës, për të cilën e dimë se dy ditë më parë dha dorëheqje. Nëse është i rrejshëm ai pushim mjekësor, dhe ka për qëllim mbrojtjen e Katica Janevës, doktori i cili ka dhënë këtë pushim duhet të jetë i vetëdijshëm se do të përgjigjet për atë procedurë”, theksoi Dimçe Arsovski nga VMRO-DPMNE.

Doktori Bojan Trajkovski nga “Lidhja e Specializantëve dhe mjekeve të rinj” shpjegon procedurën e pushimit mjekësor. Sipas tij gjasat janë të vogla, që të vërtetohet ligjërisht që një pushim mjekësor është i rrejshëm. Me këtë rast vijojnë gjoba të larta në të holla për mjekun dhe pacientin. Ndërkaq mjeku amë është ai që ka në dorë pushimin mjekësor të çdo pacienti, shpjegon Trajkovski.

“Siç theksova, deri në 7 ditë mjeku amë është ai i cili jep pushim mjekësor dhe mbështetet në minimumin e paraparë me Ligj. Mbi 7 ditë, gjegjësisht deri në 14 ditë, pushimi jepet nga ana e sub-specialistit ose specialistit. Pasi ai e jep mendimin e tij, mjeku amë e nënshkruan pushimin. Kur bëhet fjalë për mbi 15 ditë, këtu përfshihet Komisioni shëndetësor i shkallës së parë, i cili duhet ta konfirmojë pushimin mjekësor të pacientit. Gjasat për gabim apo për pushim të rrejshëm mjekësor, janë minimale”, u shpreh Bojan Trajkovski nga Asociacioni i Specializantëve.

Kryeministri Zoran Zaev nuk ka ide se ku gjendet Prokurorja speciale, Katica Janeva, ndërsa edhe LSDM nuk ka asnjë informacion lidhur me të.

PPS ka lajmëruar se Katica Janeva nga 16 korriku ka marrë pushim mjekësor. Janeva së fundi herë ka qenë në punë të hënën kur edhe dha dorëheqje të parevokueshme. Pas kësaj ndodhi menjëherë arrestimi i Bojan Jovanovskit dhe biznesmenit Zoran Milevski./TV21