Opozita shqiptare: Skandal mendimi i MPB-së për ligjin për shtetësi (Video)

Shpërndaje

Ndarja e pushteteve është në bazën e demokracive liberale, por siç duket kjo e jona as liberale është, e as demokratike, e s`do mend që është shumë larg ndarjes së pushteteve dhe mos ndërhyrjes tek njëra tjetra. Këtu në Maqedoninë e Veriut, vendin pretendent për në BE, ka vetëm Ekzekutiv (Qeveri), as Legjislativ e as Gjyqësor.

Këtë na e përkujtoi Qeveria edhe njëherë dje, nëpërmjet një dokumentit të MPB-së që qarkulloi në media, e që kishte të bëjë me një mendim nga MPB në lidhje me propozim ndryshimin e ligjit për shtetësi, të propozuar nga koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa.

SKANDAL, skandal i barasvlerë me veprimet e sistemeve totalitare të njëherë e një kohe!

Siç duket qeveria LSDM–BDI bashkë me vëllazërim-bashkimin e Jugosllavisë, të kamufluar nën sloganin “Shoqëri e përbashkët për të gjithë”, po na risjell edhe mendësinë moniste, me gjithë tiparet e saja.

Ashtu si dikur në komunizëm, kur kërkesave legjitime të shqiptarëve u përgjigjeshin UDB, OZNA, e gjithë aparati shtetëror, njësoj edhe sot, punës që duhet të bëj parlamenti, i përgjigjet MPB.

E pyesim publikisht ministrin e policisë:

– Kush ju pyeti për mendim ju, që i jeni drejtuar me një shkresë urgjente qeverisë, duke dhënë mendim për propozim ndryshim ligjin në fjalë?

– Pse na qenka kaq urgjente kjo çështje që sipas jush dhe qeverisë, saqë s`ju ka penguar që të nënshkruani një dokument, që në thelb është me përmbajtje shovene dhe të orientuar kundër një pjese të qytetarëve të RMV-së, njësoj siç është edhe ligji egzistues për shtetësinë.

– Edhe në qoftë se dikush ua ka kërkuar një mendim të tillë, a e dini se ju nuk keni të drejtë të jepni mendim për një ligj, propozues i të cilit nuk jeni ju, por deputetë apo grup deputetësh në Kuvend dhe si i tillë ligji s`është as objekt dhe as subjekt i qeverisë apo i ministrisë që ju udhëhiqni, por vetëm i kuvendit dhe deputetëve . Ju duhet të ekzekutoni vendimet e kuvendit dhe jo të përziheni në punën e tij.

Meqë doni të jepni kontribut në këtë problematik, po ju pyesim publikisht:

– Sa është numri i qytetarëve që jetojnë me dekada në RMV dhe që nuk kanë shtetësi ?

– Sa është numri i atyre që janë apartejd, për shkak të logjikës së sëmurë shovene të njerëzve që japin dhe nënshkruajnë mendime të tilla në kundërshtim me kartën universale për të drejtat dhe liritë themelore të njeriut?

– Cili është numri i saktë i qytetarëve të cilët nuk e kanë marrë shtetësinë e RMV-së, bazuar në nenin 7, pika 8 e ligjit ekzistues, duke i shpallë të rrezikshëm për sigurinë e shtetit, edhe pse gjyshër e gjyshe në moshë 70 vjeç e sipër?

Për broçkullat tjera që i përmendni në mendimin tuaj, nuk meritoni përgjigje, sepse s`është punë e juaj, këto përgjigje do i japim në debatin parlamentar që do të mbahet në lidhje me këtë çështje.

Në qoftë se mendimin e ka kërkuar qeveria, atëherë e pyesim publikisht BDI-në, ku jeni ju, ç`bëni ju, dhe a pajtoheni me mendimet e ministrit të policisë?

Njoftojmë opinionin se propozim ndryshimi i ligjit për shtetësinë, i propozuar nga koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alteranativa, është në përputhje të plotë me Kartën Universale për Liritë dhe të Drejtat Themelore të Njeriut dhe Konventën Europiane për Shtetësinë.

Konkretisht, propozim ligji ynë është në përputhje me Konventën e vitit 1954, te BE për statusin e personave për shtetësi, dhe Konventën e vitit 1961 që ka të bëjë me zvogëlimin e numrit të personave pa shtetësi, të cilat konventa përcaktojnë standardet minimale për trajtimin e personave pa shtetësi, siç janë: e drejta për edukim, punësim, strehim, ndihmë administrative dhe dokumente udhëtimi.

Koalicioni ASH-AAA