Për të jetuar nevojiten 533 euro! “Së pari faturat, e pastaj sa mbetet kaq” (Video)

Shpërndaje

Shpenzimet për jetë në vitin 2020 ishin për 2.6% më të larta në krahasim me vitin 2019.

“Është e tmerrshme kjo që po ndodh…”

Çmimet? “Më shtrenjtë”.

“Nuk janë shumë të ulëta, përkundrazi të larta janë”.

Për dallim nga viti i kaluar?

“Po, po ka rritje edhe të perimeve, edhe të frutave”.

“Pothuajse gjithçka është shtrenjtësuar. Çmimet janë gjithnjë e më të larta”.

Sipas përllogaritjeve të fundit të Lidhjes së Sindikatave për një familje katër-anëtarëshe nuk mjaftojnë as dy rroga minimale. Në nëntor, shporta minimale ka qenë 33.742 denarë, që është për 3.874 denarë më shumë në raport me dy rroga minimale. Më shumë të holla shpenzohen për ushqim dhe pije, si dhe për pagesë të harxhimeve të përgjithshme.

Një familjes katër-anëtarëshe, e cila jeton në një shtëpi prej 50 metrash katrorë dhe nuk posedon makinë, i nevojiten 14.149 denarë për nevojat themelore për ushqim dhe pije, kurse 8.547 denarë vetëm për t’i shlyer harxhimet komunale. Për higjienën personale dhe higjienën e shtëpisë, shpenzimet minimale arrijnë deri në 2.375 denarë.

Çmimi i bukës, mishit, qumështit, vezëve, djathit është rritur, kurse pijet alkoolike, duhani dhe narkotikët shënojnë rritje prej mbi 5%.

-Pijet alkoolike, duhani dhe narkotikët – 5.3%

-Mallrat dhe shërbimet e ndryshme – 2.6%

-Ushqimi dhe pijet joalkoolike – 2.4%

-Restorantet dhe hotelet – 2.2%

-Banimi, uji, energjia elektrike, gazi dhe karburantet e tjera – 2.0%

-Shëndetësia, rekreacioni dhe kultura – 0.9%

-Mobiljet dhe mirëmbajtja e amvisërive – 0.4%

-Arsimi – 0.3%

Ulje e çmimeve vërehet tek transporti, veshjet, këpucët dhe komunikimet.

-Transporti – 6%

-Veshjet dhe këpucët – 1.3%

-Komunikimet – 0.1%

Sipas Entit Shtetëror të Statistikës shpenzimet për jetë në vitin 2020, në krahasim me vitin 2019 janë rritur për 1.2%, kurse çmimet e shitjes me pakicë për 0.2%.

Qytetarët thonë se vështirë arrijnë ta kalojnë muajin.

“Shume e vështire. Pagat dhe pensionet nuk lëvizin, kurse çmimet jo vetëm të produkteve në tregje, por edhe në dyqanet janë rritur dhe këtë e ndjen xhepi i qytetarëve”.
“Pensionet… më mirë të mos flasim për këtë. 11.000 denarë, eja dhe jeton me këto të holla… faturat, energjia elektrike, ushqimi…Kjo është…”.
Si e kaloni muajin?
“E shtyjnë disi.. Së pari faturat, sepse ato janë në vend të parë, kurse pastaj sa mbetet aq… Falë Zotit tani për tani mirë është…”.

Ndryshe, rënie shënon edhe eksporti në 11 muajt e parë të 2020-tës. Sipas statistikave të publikuara, bëhet fjalë për ulje prej 9.9%. Në periudhë janar-nëntor 2020, sipas vëllimit të përgjithshëm të shkëmbimit të jashtëm tregtar, vendi ynë më së shumti ka tregtuar me Gjermaninë, Britaninë e Madhe, Serbinë, Kinën dhe Greqinë./tv21