“Turqia gjendet në mesin e 10 vendeve që projektojnë, ndërtojnë dhe mirëmbajnë luftanijet e veta”

Shpërndaje

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, tha sot se Turqia është në mesin e 10 vendeve që mund të projektojnë, ndërtojnë dhe mirëmbajnë anijet e saj luftarake, duke shtuar se marina e vendit do të jetë në një “pozitë shumë të fuqishme” me pesë projekte të mëdha në pesë vitet e ardhshme, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në ceremoninë e lançimit të fregatës së Stambollit (F-515), si dhe ceremoninë e saldimit të anijes së tretë në Stamboll në kuadër të projektit MILGEM të korvetave me Pakistanin, Erdoğan tha se për Turqisë, posedimi i fuqisë ushtarake, ekonomike dhe diplomatike është një detyrim dhe jo një zgjedhje.

“Turqia bëhet një vend që plotëson nevojat e vendeve miqësore dhe aleate, si dhe nevojat e veta për sa i përket mjeteve tokësore dhe detare”, tha Erdoğan.

Ai gjithashtu theksoi se Ankaraja zyrtare mund të tejkalojë sfidat dhe embargot e vendosura nga furnizuesit globalë përmes fuqisë së saj.

Presidenti Erdoğan shtoi se Turqia, duke u mburrur me aftësitë e konsiderueshme në teknologjinë e nëndetëseve, do të vendosë në shërbim gjashtë nga nëndetëset e saj të reja duke filluar në vitin 2022 me nëndetësen Piri Reis.

Në lidhje me përparimin e vendit në fushën e mjeteve ajrore pa pilot, Erdoğan theksoi se Turqia tani është gjithashtu në mesin e tre apo katër vendeve të para globalisht për sa i përket prodhimit të mjeteve ajrore pa pilot, me apo pa armatim.

“Turqia do të marrë në inventarin e saj Gökdeniz-in, versionin detar të sistemit të mbrojtjes ajrore me lartësi të ulët Korkut, me fregatën e Stambollit”, tha ai.

Erdoğan shtoi se pas luftanijes “Anadolu”, në mënyrë autoktone do të projektohet një transportues avionësh duke shtuar se kjo do ta çojë Turqinë në nivelin më të lartë në këtë fushë.