Ziberi ulet në karrigen e Avokatit të Popullit: Ky post nuk është as dhuratë as kompensim

Shpërndaje

Prej sot edhe zyrtarisht, Naser Ziberi merr detyrën e Avokatit të popullit, pasi fillimisht dha betimin solemn para kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi. Në një deklaratë për media, pas betimit, Ziberi tha se do të punojë që të rikthejë besimin e qytetarëve në institucionet publike, ndërsa Avokati i popullit do t’i mbrojë ata nga çdo kush që do të tentojë t’ua cenojë liritë elementare.

“Unë mendoj se prioriteti i parë është kthimi i besimit të qytetarëve, vendosja e një standardi më të lartë në respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut. Pra qytetarët te Avokati i popullit duhet të shohin vërtetë mbështetësin e realizimit të këtyre të drejtave, sigurisht që në suaza të dispozitave pozitive ligjore. Në këtë funksion do ti shfrytëzoj të gjitha instrumentet edhe ligjore edhe ato të dinamikës së ushtrimit të funksuionit dhe në rend të parë përmes komunikimit me opinionin, përmes juve me qytetarët që qytetarët vërtetë të kenë besim se ky institucion nuk është vetëm në letër, por do ta gjejnë vendin në sistemin politik të shtetit”

Duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve, Ziberi tha se ky post nuk ishte as kompensim e as dhuratë për të, ndërsa lidhur me veprimtarinë e deritanishme dhe kritikat ndaj Qeverisë, ai tha se ka kritikuar sa herë që ka pasur vërejtje dhe ka mbështetur çdo rast që ka merituar të mbështetet.

“Unë në cilësinë e personit si vrojtues I ngjarjeve politike kam qenë kritik, kur është dashur të kritikohet kam qenë mbështetës kur është dashur të përkrah vendime të caktuara. Kjo më bën edhe më kredibil që në ushtrimin e detyrës Avokat i Popullit mos jem servis i pushtetit, por i qytetarëve”

Ziberi ishte kandidat i BDI-së për kryeministër në zgjedhjet e fundit parlamentare. Më pas me nominim të BDI-së, më 25 janar në Kuvend, Ziberi u zgjodh Avokat i Popullit në mandatin e ardhshëm tetë vjeçar. Ziberi deri më tani ka vepruar si noter, ndërsa mbahet mend edhe si ish deputet i Partisë për Prosperitet Demokratik./SHENJA/