Ahmeti: Bashkëpunimi me Odat ekonomike imperativ i punës së kryetarëve të ardhshëm të komunave

Shpërndaje

Delegacioni i BDI-së i kryesuar nga kryetari Ali Ahmeti ka realizuar sot takim me udhëheqësinë e Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri – Perëndimore, me ç’rast kanë biseduar për platformën e BDI-së për zgjedhjet e ardhshme lokale, kryesisht për përmbajtjen e saj në sferën e zhvillimit ekonomik dhe përkrahjen e biznesit vendor, njëkohësisht janë dëgjuar edhe sygjerimet e afaristëve të kësaj ode ekonomike.

“Ky takim është në vazhdën e takimeve me këtë institucion të rëndësishëm për ekonominë e vendit. Në vazhdimësi direktivat për tërë ekzekutivin e BDI-së, si dhe për kryetarët e komunave kanë qenë që me Odën Ekonomike të kenë bashkëpunim transparent, të sinqertë, të dëgjojnë mendimet, të dëgjojnë me kujdes vërejtjet që të jenë sa më të suksesshëm në drejtim të realizimit, materializimit të programit, orientimeve tona sepse ky komunikim dhe bashkëpunim e pasuron, e begaton edhe punën që duhet të bëjnë autoritetet. Gjithashtu sot me kurreshtje pres që të dëgjoj idetë, mendimet e këtij institucioni që ata që do të kenë përgjegjësi të drejtojnë komunat të mbajnë evidencë këto ide, por edhe ekzekutivi të mbajë në evidencë çka është realizuar dhe çka duhet bërë në të ardhmen.” – deklaroi kryetari i BDI-së Ali Ahmeti.

Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri – Perëndimore, Nebi Hoxha deklaroi se takimi me delegacionin e Bashkimit Demokratik për Integrim të përbërë nga kryetari Ahmeti dhe kandidatë për kryetarë komunash nga ky subjekt politik realizohet në vazhdën e takimeve me subjektet politike të vendit me qëllim prezantimin e Platformës ekonomike për zhvillim lokal si dokument apolitik, i cili rrjedh nga analizat e bëra të kësaj ode ekonomike me përqafësues eminent nga sfera e biznesit dhe ekonomisë, por edhe harmonizimin e saj dhe inkorporimin në agjendën e
punës së kryetarëve të ardhshëm të komunave.

Kreu i BDI-së Ali Ahmeti dhe ai i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri – Perëndimore Nebi Hoxha u dakorduan për thellimin e bashkëpunimit për avancimin e mëtutjeshëm të pozitës së biznesit vendor.