Burri që humbi gruan dhe vajzën në aksidentin në Bullgari tregon përjetimet e tij

Shpërndaje

Në mesin e atyre që humbën më të afërmit në aksidentin tragjik të autobusit nga Maqedonia e Veriut që ndodhi të martën në Bullgari është edhe Idaver Osmani, të cilit në aksident i humbi jetë gruaja Shefije Osmanova, 63-vjeçare, si dhe vajza Ajla Fera, 23-vjeçare.

Në deklaratë për Anadolu Agency (AA), Osmani mbledh forcë për të rrëfyer momentet kur ka kuptuar për aksidentin, përpjekjet e tij për të mësuar fatin e familjarëve, për çka edhe vetë ka udhëtuar në Bullgari, si dhe përjetimet e tij atje, gjithnjë duke uruar që askush të mos përjetojë këso fatkeqësish.

“Babi, a kanë ardhur nëna dhe Ajla nga Turqia?”

Mes pikëllimit të thellë, Osmani rrëfen se mëngjesin e së martës është zgjuar rreth orës 05:30 për të falur namazin e sabahut dhe për t’u bërë gati të dalë e t’i presë të afërmit e tij. Në ato momente, atë e ka telefonuar vajza tjetër e cila ndodhet në Zvicër, duke e pyetur: “Babi, a kanë ardhur nëna dhe Ajla nga Turqia?”.

Osmani thotë se vajza e tij i ka treguar për një aksident të një autobusi nga Maqedonia e Veriut në Bullgari dhe ai menjëherë ka filluar të interesohet se për cilën kompani dhe cilin autobus bëhet fjalë.

“Aty për aty na e futi sikletin se çka ndodhi, si ndodhi! Mbylle tash telefonin, i thash, se të informuar jemi me këta shoferët, nga janë, nga s’janë! Për rreth gjysmë ore e zbuluam se për atë kompani bëhet fjalë, a janë familjarët tanë apo jo, nuk e kemi ditur”, thotë Osmani.

Ai më tej thotë se nëpërmjet familjarëve të tij dhe shoferëve të tjerë ka arritur të konfirmojë se është aksidentuar pikërisht autobusi në të cilin ndodheshin familjarët e tij, por ende nuk e ka ditur se a janë të gjallë apo i kanë mbijetuar aksidentit. Menjëherë pas kësaj, ai me disa familjarë të tij është nisur për në Sofje të Bullgarisë, ku i kanë kërkuar të mbijetuarit, me shpresën se në mesin e të mbijetuarve do jenë edhe familjarët e tyre.

“Çka vjen prej Zotit, Amin!”

Osmani thotë se në Sofje është ndihmuar nga disa miq, të cilët e kanë shoqëruar atë deri te spitali ku janë pranuar të plagosurit e aksidentit.

“E para pikë, na i gjeti ne ata të gjallët që janë. Kur i nxori emrat, familjarët tanë nuk janë! Atëherë na u bë e ditur sigurt se familjarët tanë janë të gjithë të vdekur”, rrëfen i pikëlluar ai, duke shtuar se, “Tronditje e madhe boll, po njeriu s’po kishte çfarë të bëjë! Çka vjen prej Zotit, Amin! S’kemi çfarë të bëjmë!”.

Osmani thotë se kontaktin e fundit me familjarët e ka pasur rreth orës 23:00 mbrëmjen e së hënës, kur ata e kanë informuar se kanë kaluar kufirin e Turqisë dhe kanë kaluar në Bullgari. Gjithashtu, ai shprehet se rreth orës 03:00 mëngjesin e së martës ka tentuar të kontaktojë përsëri, por nuk ka arritur t’i marrë në telefon.

Pasi ka mësuar për vdekjen e të afërmve të tij, Osmani thotë se ka kontaktuar Ambasadën e Maqedonisë së Veriut në Sofje, si dhe kanë kontaktuar me prokurorë nga Maqedonia e Veriut, të cilët të martën udhëtuan gjithashtu në Sofje. Ai gjithashtu thotë se përfaqësues të Bashkësisë Islame të Bullgarisë u kanë ofruar ndihmë, për çka shprehet mirënjohës.

“Erdhën të Bashkësisë Islame të Bullgarisë, na ofruan ndihmë, na ofruan ushqim, pije, edhe pse askujt nuk i shkonte mendja për atë. Na ofruan edhe bujti, një natë, dy netë, derisa të kryhet obligimi, në harxhimet e atyre”, thotë Osmani.

Mirëpo, autoritetet e kanë informuar se është e panevojshme që ai të qëndrojë në Sofje, duke shtuar se kur e kanë kuptuar që nuk mund të marrin kufomat të martën janë kthyer për në Shkup.

“Inshallah Zoti nuk e sprovon askënd me këtë, se është tronditje e madhe”

Pas arritjes në Shkup, Osmani thotë se ka shkuar të japë mostra për ADN, për të ndihmuar në identifikimin e viktimave. Dëshira e tij tani është që sa më par të sillen kufomat e gruas dhe vajzës së tij, për të kryer ceremonitë e varrimit.

“Më shumë nuk dimë çfarë ka ndodhur. Pasi gjithçka flitet, por nuk mund ta dimë edhe ne se çfarë ka pasur në autobus. Disa thonë ka pasur benzinë, disa thonë ka pasur bombola gazi, disa thonë fishekzjarrë. Këtë e di shpirti i atyre (të ndjerëve), si kanë dhënë amanet. Por, çfarë vjen nga Zoti, ajo është! Ne duhet të bëjmë sabër, duhet të bëjmë durim, të na sjellin ato kufoma, t’i rehatojmë në vendin e tyre, t’i presim dashamirët, shokët që vijnë të na vizitojnë. Nga ana ime, kjo është! Inshallah Zoti nuk e sprovon askënd me këtë, se tronditje e madhe”, thotë për fund Osmani.

Përpos familjarëve më të afërt, gruas dhe vajzës, Osmani thotë se në aksident jetën e kanë humbur edhe motra e gruas bashkë me vajzën e saj, si dhe kunata e gruas.

Sipas deklaratës së zv/kryeprokurorit Publik dhe drejtorit të Shërbimit Hetimor Kombëtar të Bullgarisë, Borislav Sarafov, në autobusin me targa të Shkupit të aksidentuar në rajonin e fshatit Bosnek në afërsi të qytetit Pernik në perëndim të Sofjes ndodheshin 52 udhëtarë, prej të cilëve 44 humbën jetën.

“Incidenti nuk është një akt terrorist. Nuk ka pasur shpërthim, vetëm e ka kapluar një zjarr i fortë. Numri i udhëtarëve të shpëtuar është tetë. Në spital gjenden 7 veta. Është duke u hetuar se ku është edhe një person”, u shpreh Sarafov.