Policia e Kosovës kryen bastisje në tri shtëpi në Deçan, ka lidhje me rastin e mbrëmshëm tragjik

Shpërndaje

Vrasja e trefishtë që ndodhë mbrëmë në Gllogjan të Deçanit ka tronditur gjithë vendin.

Policia e Kosovës ende nuk ka arrestuar ndonjë person në lidhje me këtë rast.

Në orët e hershme të mëngjesit të sotëm janë kryer bastisje në tri shtëpi afër vendit të ngjarjes ku ndodhi atentati dhe mbetën të vrarë 3 persona.

Sipas burimeve, gjatë këtyre bastisjeve, Policia e Kosovës nuk ka gjetur asnjë gjë të dyshimtë që mund të ndihmonte hetimet mbi rastin.

Bastisjet janë kryer rreth orës 2 të mëngjesit. Poashtu janë intervistuar disa persona, por ende nuk ka ndonjë të dyshuar apo të arrestuar.

Nga sulmi, mbrëmë rreth orës 19:00 mbetën të vdekur tre persona, ngasësi i autobusit dhe dy nxënës të cilët ishin në të. Ndërsa, një tjetër mbeti i plagosur por jashtë rrezikut për jetën.

Mbrëmë, drejtori i Policisë së Kosovës, Sabedin Mehmeti konfirmoi se po zhvillohen hetimet në disa pista.

“Aktualisht kemi dy – tri pista në të cilat jemi duke punuar. Nuk mund të jap detaje, sepse ekipet janë duke punuar dhe ende jemi në fazë fillestare. Kjo do të thotë që jemi në dy ose tri drejtime të caktuara por ende është shumë herët me dhënë detaje”, deklaroi Mehmeti mbrëmë nga Deçani.

Ai ka thënë se në këtë rast, arma e përdorur dyshohet të jetë Kallashnikov.

“Sonte në këtë vend ka ndodhur një situatë shumë tragjike, fatkeqësisht një person ka humbur jetën në vend ngjarje ndërsa dy persona në spital kanë humbur jetën. Dyshohet që sulmi ka ndodhur me AK-47”, deklaroi Mehmeti.