Maqedoni

Rektori i UT-së Ahmeti: URIME 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit

Shpërndaje

Të nderuar miq,

Kam nderin e veçantë që në emrin tim dhe në emër të stafit drejtues të Universitetit të Tetovës, t’Jua uroj të gjithëve festën e kombit, 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë.

28 Nëntori është dita e realizimit të një ëndrre shumë shekullore, realizim i projektit të madh politik, kulturor dhe shpirtëror. Ky projekt kombëtar pati edhe pararendësit tij, në krye me Heroin tonë kombëtar, Gjergj Kastriotin Skënderbeun, i cili më 1443, në kryeqytetin e vjetër të Shqipërisë, në Krujë e ngriti flamurin e kuq me shkabën e zezë dykrenore.

Të vetëdijshëm për këtë Mot të madh dhe testamentin e vet evropian, etërit themelues të Shtetit Shqiptar e zgjodhën pikërisht 28 Nëntorin, si Nëntor të Dytë të Rilindjes Shqiptare. Në Vlorë, ditën kur plaku i flamurit, Ismail Qemali e shpalli vendimin e shenjtë, ishin bashkë të gjithë rilindësit shqiptarë, të gjallë e të vdekur, sepse në atë akt u mishëruan bashkë shpirti dhe fryma atdhetare shqiptare.

Vendimi historik i 28 Nëntorit të vitit 1912, i shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, ishte një kurorëzim i luftërave dhe përpjekjeve të plejadave të tëra të atdhetarëve dhe intelektualëve që shkëlqyen gjatë gjithë periudhës së Rilindjes Kombëtare.

Me urimet e mia më të ngrohta, me dëshirën që kombi ynë të ketë një të ardhme të begatë, të sigurtë dhe ndritur, Ju uroj të gjithëve, gëzuar 28 Nëntorin- Ditën e Flamurit dhe Pavarësisë!

Rektori
Prof. Dr. Vullnet Ameti