Nga marsi 2027, fluturime direkte Dubai–Shkup me Flydubai
Nga fillimi i muajit mars të vitit të ardhshëm, do të ketë fluturime direkte nga Dubai për në Shkup. Po negociojmë edhe për lidhjen e Ohrit me një nga aeroportet në Emiratet e Bashkuara Arabe. Kjo lidhje do të sjellë shumë për turizmin dhe biznesin, u përgjigj sot zëvendëskryetari i Qeverisë dhe ministër i Transportit, Aleksandar Nikolloski, në pyetjen e deputetëve në Kuvend.
Ai theksoi se kjo është dakorduar në takimin me ambasadorin e EBA-së në Maqedoninë e Veriut, i cili u mbajt pikërisht sot në Kuvend. “Ajo që dua të njoftoj pas takimit të sotëm me ambasadorin është se kemi diskutuar për një çështje konkrete, e ajo është lidhja e drejtpërdrejtë ajrore ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, e cila do të kontribuojë shumë në zhvillimin e turizmit dhe të biznesit ndërmjet dy shteteve. U dakorduam që me fillimin e sezonit të ri të fluturimeve, përkatësisht nga muaji mars i vitit 2027, të ketë fluturime direkte nga Dubai për në Shkup. Pra, do të kemi fluturim të drejtpërdrejtë ajror që do të fluturojë Dubai – Shkup. Kjo tashmë është dakorduar dhe Flydubai do të fillojë në mars të vitit 2027, pra rreth gjashtë muaj nga sot, të fluturojë drejtpërdrejt nga Dubai në Shkup, gjë që do të kontribuojë shumë në rritjen e turizmit, pikërisht në periudhën e sezonit të ulët në Maqedoni, gjegjësisht në periudhën jashtë sezonit veror”, theksoi Nikolloski.
Ai shtoi se ende po zhvillohen bisedime dhe se është shumë e mundshme të arrihet marrëveshje për një fluturim të drejtpërdrejtë nga njëri prej aeroporteve në Emiratet e Bashkuara Arabe drejt Ohrit, gjë që, siç theksoi, do të kontribuojë shumë në zhvillimin e turizmit.
Nikolloski shtoi se këto marrëveshje konkrete janë rezultat i vizitës së Qeverisë në Emiratet e Bashkuara Arabe, të kryesuar nga kryeministri Mickoski. “Në ato takime me kryeministrin Mickoski dhe sheikun Mohamed bin Zajed, dakorduam disa çështje të rëndësishme për bashkëpunimin e ndërsjellë. E para tashmë është realizuar, bëhet fjalë për regjimin pa viza, përkatësisht tashmë ndërmjet Maqedonisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe udhëtohet pa viza, gjë që është shumë e rëndësishme, veçanërisht në fushën e turizmit dhe shkëmbimit të biznesit. Gjithashtu, po bisedojmë për investime potenciale. Shumë kompani të Maqedonisë tashmë kanë filluar të eksportojnë në Emiratet e Bashkuara Arabe, si një vend që për momentin po bëhet qendër e asaj që quhet prezantim, para së gjithash në fushën e panaireve, të cilat po zhvendosen nga Evropa Perëndimore drejt Emirateve të Bashkuara Arabe. Pothuajse nuk ka industri më të madhe që panairin e saj vjetor tashmë të mos e ketë zhvendosur në Emiratet e Bashkuara Arabe, qoftë në Abu Dabi, qoftë në Sharxha, qoftë në Dubai apo ndonjë vend tjetër”, u përgjigj Nikolloski.

