BotaTop Lajme

Abbas i bën thirrje Trumpit të respektojë zotimet për parandalimin e zhvendosjes së palestinezëve dhe aneksimit

Shpërndaje

Presidenti palestinez, Mahmoud Abbas, i ka bërë thirrje presidentit të SHBA-së, Donald Trump, të respektojë zotimet e bëra ndaj vendeve arabe për të parandaluar zhvendosjen e palestinezëve dhe aneksimin e tokave palestineze, transmeton Anadolu.

Abbas e bëri këtë thirrje në një fjalim të regjistruar paraprakisht drejtuar sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, pasi për të dytin vit radhazi nuk mundi të marrë pjesë personalisht në mbledhje.

Ai i bëri thirrje SHBA-së të punojë me udhëheqjen palestineze dhe komunitetin ndërkombëtar për zbatimin e zgjidhjes me dy shtete, bazuar në të drejtën ndërkombëtare.

Abbas tha se palestinezët e kishin mirëpritur planin e paqes të Trumpit, “por nuk kishin parë asnjë përparim në terren”.

Ai gjithashtu paralajmëroi liderët botërorë kundër lejimit të një “përsëritjeje të Nakbës dhe masakrave” që palestinezët pësuan në vitin 1948.

Presidenti palestinez tha se populli i tij po përballet me një nga “periudhat më të rrezikshme në historinë e tij”, duke përmendur vrasjet, shkatërrimet, urinë dhe përpjekjet për zhvendosje të detyruar në Rripin e Gazës.

Abbas tha se çdo periudhë tranzitore duhet të çojë përfundimisht në ribashkimin e Rripit të Gazës dhe Bregut Perëndimor të pushtuar nën një shtet të vetëm palestinez, me një forcë të vetme legjitime të armatosur.

Ai gjithashtu akuzoi Izraelin se po mban më shumë se 6 miliardë dollarë nga fondet palestineze dhe kërkoi lirimin e tyre të menjëhershëm.

Abbas kundërshtoi ato që i përshkroi si masa ndëshkuese që e pengojnë atë dhe anëtarët e delegacionit palestinez të marrin pjesë në Asamblenë e Përgjithshme, duke theksuar se këto kufizime shkelin detyrimet e SHBA-së si vend pritës i OKB-së.

Ai i bëri thirrje Washingtonit t’i tërheq këto masa dhe t’i lejojë udhëheqjes palestineze të marrë pjesë plotësisht në mbledhjet e OKB-së.