Ahmeti-Mickoski kanë folur për kryeministrin shqiptar!

Shpërndaje

Zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi, mbrëmë në “Click Plus” bëri të ditur se VMRO-DPMNE ka pranuar kërkesën e BDI-së, për kryeministër shqiptar në 100 ditëshin e fundit të Qeverisë. Tha se për këtë çështje janë marrë vesh vetë lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski dhe kreu i BDI-së, Ali Ahmeti në një takim që e kanë zhvilluar personalisht dy krerët.

TV21: Po më thoni publikisht z.Mickoski ka thënë PO për kryeministër shqiptar?

Artan Grubi: “Në këtë përbërje qeveritare, po”.

TV21: Në 100 ditëshin e Qeverisë të kësaj apo asaj që do të vij gjatë vitit ri që po thoni.

Artan Grubi: Do të thotë ishte biseda në kontekstin për shpërbërjen e kësaj shumice, zgjedhjes së qeverisë 100 ditëshe për zbatimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në këtë pranverë me kryeministër shqiptar dhe me përfshirjen edhe të opozitës si pjesë e Qeverisë teknike”.

Menjëherë pas deklaratës së Grubit, nëpërmjet një kumtese reaguan menjëherë nga VMRO-DPMNE, megjithatë në reagim, as nuk e pranuan e as nuk e mohuan deklaratën e zëvendëskryeministrit të parë. Pyetëm edhe sot zëdhënësin e VMRO-DPMNE-së, nëse deklarata e Grubit është e vërtetë, edhe sot, pa përgjigje konkrete.

“Do të ishte mirë që Artan Grubi të thoshte se BDI i pranoi zgjedhjet e parakohshme parlamentare vitin e ardhshëm. ‘Më the, të thash’ politikat e Artan Grubit, sjellin vetëm urrejtje, ndarje dhe nacionalizëm. Ne nuk do të hyjmë në tezat nacionaliste dhe romantizma sepse këto i janë të nevojshme Artan Grubit dhe BDI-së për të mbuluar krimin e BDI-së dhe të kësaj Qeverie”, tha Naum Stoillkovski, VMRO-DPMNE.

Idenë për kryeministër shqiptar, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, e shpalosi në vitin 2020 në 18 vjetorin e themelimit të partisë, të cilët në zgjedhjet parlamentare dolën me kërkesën që është koha që vendi të ketë një kryeministër të parë shqiptar.