Ali Ahmeti: Gëzuar Vitin e Ri, shëndet e mbarësi për të gjithë

Shpërndaje

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti, ka uruar qytetarët për ndërrimin e moteve, duke ju dëshiruar shëndet e mbarësi në vitin që po vjen. Ahmeti përmes këtij mesazh urimi ka theksuar se viti që po vjen do të jetë plot sfida sepse po punohet fortë për një të ardhme më të mirë.

Mesazhi i kryetarit të BDI-së Ali Ahmeti:

Të nderuar qytetarë, vëllezër e motra,

Ditët e fundit të këtij viti na nxisin që të reflektojmë mbi 365 ditët e kaluara dhe t’i paracaktojmë synimet tona për 12 muajt vijues.

Edhe ky vit, si i kaluari, u përcoll me rregullat e reja të jetës të cilat na i imponoi Pandemia, por edhe me humbjen e shumë qytetarëve tanë nga virusi dhe tragjeditë duke shkaktuar dhimbje të mëdha tek të gjithë ne.

Ky vit shënoi edhe 20 vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit, konfirmimin ligjor të Korridorit 8, shpalljen e Malit Sharr park kombëtar si dhe fitoren e rradhës zgjedhore.

Vitin para nesh do të punojmë që ta nisim me çeljen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian, vënien e gurthemelit të korridorit 8, stabilizimin energjetik dhe ekonomik, vazhdimin e gasifikimit dhe përfundimin e pandemisë.

Uroj të gjithë qytetarët kudo që janë, në vend, rajon e mërgatë, Gëzuar vitin e ri me uratat më të sinqerta për shëndet, mbarësi dhe suksese.