Sela: Viti që po e lëmë pas ishte një vit i trishtë

Shpërndaje

Viti që po e lëmë pas ishte një vit i trishtë, i karakterizuar me tragjedi të mëdha që prekën drejtpërdrejt qytetarët tanë, shumë dhimbje në nivelin kolektiv dhe dështime të njëpasnjëshme në nivelin politik.

Pa hyrë në detajet e shumë aferave korruptive të regjimit dhe dëshpërimit të gjithmbarshëm shoqëror në këtë ditë festive, nuk mundemi të mos përkujtojmë 14 bashkëqytetarët tanë që u dogjën për së gjalli në spitalin modular të Tetovës dhe ata 45 bashkëqytetarë të tjerë që humbën jetën në mënyrë po aq mizore në tragjedinë me autobusin në Bullgari. Dhe njëherit, të përsërisim thirrjen tonë të vazhdueshme për transparencë rreth shkaqeve korruptive që sollën këto tragjedi dhe për përgjegjësi për jetët e humbura.

Në rrafshin politik, urojmë që perspektiva evropiane e vendit më në fund të zhbllokohet gjatë vitit të ardhshëm, duke shpresuar se presioni i jashtëm që shoqëron negociatat për anëtarësim në BE do të ndikojë pozitivisht në instalimin e një klime që forcon shtetin e së drejtës, luftimin e korrupsionit dhe liritë e qytetarëve. Megjithatë, pazaret dhe lojërat që u bënë në emër të kësaj kauze, si dhe goditja e fundit që iu dha shtetit të së drejtës me lirimin e Sasho Mijallkovit pikërisht në ditën që u mandatua kandidati i ri për kryeministër, nuk lënë hapësirë për të shpresuar në përmirësimin e klimës së përgjithshme politike në vend.

Andaj, qytetarë të nderuar, ju ftoj që sot t’i kthehemi vatrave tona, të festojmë me maturi e kujdes që kjo ditë festive të mos zbehet edhe më tej nga aksidentet dhe tragjeditë individuale. Ju ftoj të reflektojmë, të bashkohemi dhe të angazhohemi që të mos na përsëritet ky vit i mbrapshtë që po e lëmë pas.

Urime në emrin tim dhe në emër të Aleancës për Shqiptarët, me dëshirë dhe shpresë që të kemi mbi të gjitha shëndet, harmoni në familjet tona, suksese në punë dhe lumturi në jetë. Qoftë viti 2022 vit i ndryshimeve të mëdha, vit i jetës, i gëzimit dhe i shpresës.