Ali Ahmeti: Nuk ka nevojë për zgjedhje parlamentare

Shpërndaje

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti ka mbledhur ministrat sot.

Në kuadër të kësaj, pritet të vendoset se cili do të jetë vendimi për ministrat në Qeverinë e re që pritet të ketë kryeministër Dimitar Kovaçevskin.

I pyetur nga gazetarët, kreu i integristëve tha se nuk është koha për zgjedhje të parakohshme pasi vendi duhet të zgjidh problemet me të cilat përballet për momentin – siç është kontesti me Bullgarinë.

Vlerësoi se dallimet me palën bullgare janë zbutur dhe se kjo është mundësuar nga konstituimi i institucioneve bullgare pas zgjedhjeve të nëntorit dhe me “angazhimin e miqve ndërkombëtarë”

“Mendoj se në këtë kohë vendi nuk ka nevojë për zgjedhje të parakohshme parlamentare, por ka nevojë që të zgjidh problemet me të cilat po përballet. Në këtë rast do të doja të theksoj nëse duam që të kemi situatë stabile, të qëndrueshme, të avancueshme në drejtim të proceseve euroatlantike, nevojë e domosdoshme është që të zgjidhet kontesti apo dallimet që i kemi me palën ndërkombëtare lidhur me marrëveshjen për fqinjësi të mirë. Mendoj se çështjet kanë avancuar. Deri tani kemi pasur parasysh vështirësitë me të cilat është përballur Bullgaria me zgjedhjet, me vonesat për konstituimin e Qeverisë së re dhe konstituimin e Kuvendit me çka mendoj se dallimet janë afruar”, tha Ahmeti, transmeton TV21.

Kërkoi që ky problem të mos politizohet dhe mos t’i jepet ngjyrime emocionale.