ASH: S’ka datë për negociata edhe përkundër gënjeshtrave të regjimit dhe atyre që u bashkëngjiten në emër të integrimeve

Shpërndaje

Aleanca për Shqiptarët (ASH) permes nje konference per media, ka reaguar pasi Maqedonia e Veriut dje serish deshtoi te merr date per negociata per anetaresim ne Bashkimin Evropian.

Me poshte mund ta lexoni reagimin e plote te ASH-së.

Këshilli i BE-së i 14 dhjetorit – një shtyrje e re e hapjes së negociatave për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në BE në mungesë të plotësimit të kushteve evropiane

Dje, më datë 14 dhjetor 2021, Këshilli i Përgjithshëm i BE-së me përbërje të ministrave për Evropë përsëri nuk ka dhënë dritën e gjelbër për hapje të negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në bazë të vendimit të Këshillit të BE-së të datës 25 mars 2020 i cili parasheh mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare pas miratimit të kornizës negociuese të propozuar nga Komisioni Evropian. Konkluzionet e miratuara nga Këshilli i Përgjithshëm i BE-së tani kalojnë në nivel të liderëve për miratim nga Këshilli evropian i 16 dhjetorit ku nuk pritet ndonjë ndryshim vendimi.

– Aleanca për Shqiptarët çdoherë ka dhënë përkrahje të pakushtëzuar parlamentare në çështjet që kanë të bëjnë me integrimet evropiane dhe ka bërë thirrje për hapjen e negociatave për anëtarësimin e RMV, sepse besojmë se qytetarët nuk duhet të ndëshkohen për sjelljen e politikanëve të korruptuar dhe të papërgjegjshëm.

– Megjithatë, siç edhe kishim paralajmëruar në bazë të informatave tona nga qarqet diplomatike, as Këshilli i BE-së i mbajtur dje më 14 dhjetor nuk dha dritën e gjelbër për hapjen e negociatave.

– Pa dashur të paragjykojmë rezultatin e samitit evropian dhe samiteve të ardhshme deri në fund të vitit, ajo që bie në sy nga konkluzionet e Këshillit të BE-së të publikuara mbrëmë, janë kritikat e shumta drejtuar qeverisë LSDM-BDI. Ndër tjerash, konkluzionet e BE-së theksojnë:
o) Mungesën e pavarësisë dhe paanshmërisë së gjyqësorit dhe nevojën për reforma të mirëfillta në këtë fushë.
o) Problemet e theksuara në luftën kundër korrupsionit.
o) Reformën e papërfunduar zgjedhore.
o) Politizimin e administratës publike dhe nevojën për respektimin e parimeve të transparencës, meritës dhe përfaqësimit të drejtë dhe adekuat.
o) Mungesën e mbikëqyrjes parlamentare mbi shërbimet e inteligjencës.
o) Cënimin e lirisë së shprehjes dhe sigurisë së gazetarëve.

– Për fund, konkluzionet e BE-së kërkojnë rezultate konkrete në zbatimin e Marrëveshjes së Prespës me Greqinë dhe Traktatit për fqinjësi të mirë me Bullgarinë.

– Natyrisht se regjimi do të fajësojë Bullgarinë e kë mos. Por, qytetarët tanimë e dinë të vërtetën dhe nuk kanë asnjë pritshmëri nga ky pushtet i kriminalizuar i cili punon çdo ditë kundër vlerave evropiane. Këta për 20 vite fshehen prapa integrimeve evropiane për të mbushur xhepat e tyre dhe për të varfëruar qytetarin, ndërsa integrimin evropian si synim strategjik të vendit e kanë shndërruar në një farsë me dështimet e tyre të njëpasnjëshme.

– Andaj, ne do të presim përfundim e samitit evropian ditën e nesërme, por tanimë duket e qartë se përveç nëse ndodh ndonjë mrekulli gjatë ditëve të ardhshme, Maqedonia e Veriut as këtë vit nuk do të sigurojë datë për hapje të negociatave edhe përkundër gënjeshtrave dhe mashtrimeve bajate me data të figurave të regjimit dhe atyre që po u bashkëngjiten në emër të integrimeve evropiane.