Mijallkovi lirimin e tij e festoi në një kafene të Shkupit (Foto)

Shpërndaje

Ish-drejtori i shërbimit sekret të Maqedonisë, Sasho Mijallkov lirimin e tij mbrëmë e ka festuar në një kafene të Shkupit.

Sipas portalit “Reporter” ai ka festuar bashkë me bashkëshorten e tij, djalin dhe miq të tjerë, ndërsa në rrjetet sociale ka qarkulluar një foto e nxjerrur nga një shoqe e tij ku shkruan “Lojaliteti është shumë me rëndësi”.

Po ashtu portali “Reporter” bën të ditur se Mijallkov nuk ka qëndruar shumë në këtë lokal dhe më pas është drejtuar drejt shtëpisë së tij. Ai mbrëmë doli nga burgu pasi që Gjykata e Apelit pranoi ankesën e mbi vendimin për paraburgimin e Mijallkovit në rastin “Parcelat në Vodno”.

Mijalkovit iu caktua masa e paraburgimit për “Parcelat në Vodno”, pasi Gjykata e Apelit pikërisht para një jave ia shfuqizoi paraburgimin për rastin “Thesari” me garanci 11 milionë euro. Për Mijallkovin tani vlejnë masa të tjera kujdesi. Ai do duhet të paraqitet çdo javë në Gjykatën Penale dhe nuk do mund të largohet nga vendi pasi nuk ka pasaportë. Mijallkov është në paraburgim nga muaji shkurt, pasi para kësaj u zhduk pa gjurmë, ndërsa më vonë kur u paraqit tha se ka pasur simptoma të kovidit.
Ky rast i lirimit ka nxitur reagime të ashpra në opinion, pasi që është kritikuar ashpër lirimi i tij. Mijalkov është në paraburgim në Burgun e Shkupit që nga 26 shkurti. Ai u dënua me 12 vite burg për çështjen “Target – Kala” për përgjime të paligjshme dhe me 8 vite burg për çështjen “Thesari. “Titanik 2” dhe “Tortura” janë në gjyq, i cili është në prag të vendimit. Më 12 maj të këtij viti, prokuroria ka ngritur aktakuzë për rastin “Parcelat në Vodno”, ku në mesin e të dyshuarve është edhe Mijallkov.