Qeveria e re e MV-së pritet në janar, Xhaferi: Shmangëm krizën politike

Shpërndaje

Në Maqedoninë e Veriut ka filluar rrjedhja e afateve kushtetuese për formimin e qeverisë së re, pas konfirmimit të dorëheqjes së kryeministrit Zoran Zaev. Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi thotë se me formimin e qeverisë së re, që pritet të ndodh në janar, po shmanget një krizë politike, e cila sipas tij, do të dëmtonte shtetin dhe interesat e qytetarëve. Në një intervistë, kryekuvendari thotë se nuk ka pengesa që qeveria e re të votohet në mesin e janarit të vitit 2022 meqë shumica është siguruar.

Kryekuvendari Talat Xhaferi thotë se tentativa e partive opozitare për rrëzimin e qeverisë duke ngritur mocion mosbesimi, ishte sfidë për vendin.

“Sfidë e veçantë ka qenë që pas zgjedhjeve lokale u bë tendencë për vënie në rend dite të votimit të mosbesimit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, pas mossuksesit te asaj iniciative erdhi deri tek ndryshimet e përbërjes së shumicës parlamentare që në një periudhë gati 20 ditore kemi qenë në pozicionin e ndarjes së barabartë të mandatave, do te thotë 60-60 mandate dhe kalim tsë një subjekti politik nga shumica parlamentare në opozitë dhe anasjelltas, subjekti tjetër politik nga opozita në shumicën parlamentare, që nënkuptonte nevojën për organizim të kyçjes së atij subjekti në strukturën e shumicës parlamentare, dhe së fundi qeveria aktuale do te thotë kryeministri ka dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit”, thotë kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.

Dorëheqja e kryeministrit Zoran Zaev nënkupton edhe dorëheqjen e gjithë kabintetit qeveritar të Maqedonisë së Veriut çka edhe u konstatua nga Kuvendi në një seancë të mbajtur disa ditë më parë.

Mirëpo, kabineti i ri qeveritar pritet të votohet menjëherë muajin e ardhshëm, duke respektuar afatet kohore dhe data 18 janar shihet si mundësi kur vendi fqinj do të ketë ekzekutivin e ri.

Xhaferi: Dhënia e mandatit për mandatarin e ri pritet të ndodh deri më 29 dhjetor

“Kanë filluar afatet për nominim dhe përcaktim të mandatarit të ri, duhet të jetë nga radhët e Socialdemokratëve si parti e cila ka më tepër mandate nga zgjedhjet e fundit dhe me shumicën ekzistuese. Afatet që rrjedhin është afati dhjetë ditor nga dita e konstatimit të ndërprerjes së funksionit të qeverisë aktuale dhe nga momenti që do te përcaktohet mandatari. Pritshmëritë janë që të jetë 28, 29 dhjetor dhënia e mandatit mandatarit të ri, dhe nga ai moment që madatari i ri merr mandatin sipas rregullave tona në afat prej 20 ditëve mandatari i ri duhet të dalë me propozim përbërje personale të stafit, kabinetit qeveritar, dhe programin qeveritar me të cilin do të punojë qeveria e re dhe pritshmëritë janë që ato afate të jenë të përshpejtuara dhe Republika e Maqedonisë së Veriut më së voni deri më 17, 18 janar të ketë përbërjen e re, gjegjësisht qeverinë e re”, thotë Xhaferi.

Duke përmendur mbajtjen e zgjedhjeve të shpeshta në Maqedoninë e Veriut, Xhaferi thekson nevojën që vendi t’i përmbahet rregullit që zgjedhjet të mbahen çdo katër vjet, përjashtuar rastet kur deputetët vendosin për shpërndarjen e parlamentit.

Xhaferi: Me formimin e qeverisë së re shmanget kriza e re politike

“Është shmangur një krizë e re politike për faktin që Republika e Maqedonisë së Veriut nga 2008 e këndej pesë cikle zgjedhore parlamentare janë të parakohshme dhe me përcaktim kushtetues zgjedhjet e parakohshme janë përjashtim si rregull, për fat të keq, përjashtimi është vërë rregull tanimë dhe në këtë kontekst mendoj që ne duhet t’i kthehemi rregullit katërvjeçar të zgjedhjeve parlamentare. […] Kriza politike gjithsesi që do të dëmtonte edhe vendin dhe interesat e qytetarëve këtu, por edhe proceset do t’i dëmtonte, ajo është e patjetërsueshme nuk do koment që sidoqoftë çdo krizë politike ka për pasoja edhe kriza të tjera rrjedhëse, qofshin ato marrëdhëniet me fqinjët, qofshin marrëdhëniet ndërkombëtare, qofshin vet situata brenda në vend”, shton kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.

Sipas Xhaferit nuk ka arsye për zgjedhje të reja meqë shumica në Kuvend tashmë ekziston.

Më 23 dhjetor kryeministri Zoran Zaev dorëzoi dorëheqjen e tij në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut. Ky veprim erdhi si pasojë e rezultatit të dobët në zgjedhjet lokale të tetorit.

Para zyrtarizimit të dorëheqjes së tij nga ekzekutivi, Zaev krijoi shumicën për qeverinë e re duke siguruar 4 deputetë nga marrëveshja me partinë Alternativa. Qeveria kishte mbetur me vetëm 60 deputetë meqë Lëvizja Besa ishte larguar nga koalicioni.