​Largohet flamuri kombëtar nga salla e komunës së Prishtinës

Shpërndaje

Në mbledhjen e jashtëzakonshme ku është zgjedhur kryesuesi i Asamblesë së Prishtinës, sot nuk është parë flamuri kombëtar aty afër flamurit të shtetit dhe të komunës.

Në këtë mbledhje, ishte dikush që i ra në sy mungesa e flamurit. Asamblisti nga Lëvizja Vetëvendosje, Gëzim Sveçla ka pyetur administratën e Kuvendit Komunal të Prishtinës përse është larguar flamuri kombëtar nga salla.

“Kam një pyetje për administratën kuvendit, qysh ka ndodhur që është larguar flamuri kombëtar prej sallës së Kuvendit?”, pyeti Sveçla.

Administrata e kuvendit nuk pati përgjigje e cila u shpreh e habitur për këtë. Derisa, kryesuesi Fehmi Kupina theksoi se flamuri nuk ishte në protokoll.

Dikush nga asamblistët theksoi se flamurin e ka marrë ish-kryetari.

“Unë u interesova, por kuptova se nuk ishte në protokoll”, theksoi Kupina.

Gjatë mbledhjes, Kuvendi Komunal I Prishtinës me 40 vota pro ka votuar për themelimin e Komitetit për Politikë dhe Financa.

Në përbërje të këtij Komiteti, Lëvizja Vetëvendosje ka katër anëtar, LDK-ja me tre anëtarë, PDK-ja 2 dhe AAK-ja një anëtar.

Derisa grupi i AKR-së paralajmëroj ankesë pasi që nuk janë përfshirë në Komitet.

Pas kësaj, kuvendi ka mbyllur punimet e mbledhjes së jashtëzakonshme ku është zgjedhur edhe kryesuesi i Asamblesë, Fehmi Kupina.