Basha nuk tërhiqet: Berisha do të vijë me kriminelë, demokratët mos t’i bashkohen!
Lulzim Basha u bëri thirrje demokratëve të mos i bashkohen nesër protestës që ka thirrur Sali Berisha për të marrë selinë. Basha tha se selia e PD nuk do të kthehet në një arenë vetëgjyqësie për interesat e Berishës dhe se ai ka thirrur kriminelë për të sulmuar selinë.
“Selia është e demokratëve pa dallim, është shtëpia e lirisë, e mendimit të lirë, shtëpia e bashkimit rreth interesit që na bashkon të gjithëve, pro meje apo kundër meje, që është largimi një orë e më parë i qeverisë se rekordeve të zeza të Edi Ramës.
Por kjo seli nuk është e nuk do te jetë han mesjetar ku mund të hyjnë duke u kapardisur eksponente te botës së trafiqeve dhe krimit, apo të merret peng nga ish zyrtarë të korruptuar të qeverisë së PD-së.
Selia e PD-se nuk do të jetë arenë vetëgjyqësie për interesat e Sali Berishes.
Tani situata është e qartë.
Përplasje mendimesh po.
Liri shprehje po.
Liri zgjedhjesh dhe garë po.
Në respekt të dinjitetit të secilit dhe normave të etikes demokratike e njerëzore.
Përplasje të tjera nga ato që ka ndërmend Sali Berisha dhe skenaristët e të ashtuquajtures protestë para selisë së PD-së nuk ka e nuk duhet të ketë.
Demokratëve u bëj thirrje tu rrinë larg skenarëve të dhunës që duan destabilizim dhe shkatërrimin e PD-së.
Sepse edhe tani Sali Berisha po ju gënjen, manipulon dhe mashtron.
Ai kërkon ti përdorë demokratët si fasadë, sepse nesër ai ka mobilizuar kriminelë e trafikantë për dhunë. Unë e di fare mirë se demokratët janë kundër dhunës por kjo është mënyra e tij e vetme. Dhuna eshte streha e tij e fundit. PD ka marrë masa të përballet dhe tu tregojë vendin me fuqinë e ligjit agresorëve që nuk kanë asnjë lidhje me PD dhe misionin e saj.
Shqipëria nuk mund të turpërohet duke prodhuar një ngjarje të shëmtuar antiamerikane në selinë e PD-së dhe as demokratët nuk ja kanë borxh Sali Berishës kundërvënien përballë njëri tjetrit që ai nxit dhe provokon prej dëshpërimit të tij.
PD nuk mund ta mbajë e nuk ka për ta mbajtur këtë turp” u shpreh Basha.