Beteja e parë e UÇK-së në Drenicë e përjetuar nga 16 vjeçari: Nuk kisha si me fsheh pushkën prej nënës

Shpërndaje

Vetëm 16 vjet Agron Kajtazi mori vendimin më të madh të jetës së tij, një kthesë që për të është bërë vulë e që e mban mbi supe edhe sot, shkruan arbresh.info.

Kajtazi në kohën kur filloi lufta në Kosovë ishte vetëm 16 vjeçar, por që kjo nuk e pengoi që t’i bashkohet luftës për çlirimin e Kosovës nga okupatori serb që po bënte një agresion ndaj popullatës civile në Kosovë.

Madje ky vendim erdhi pa dijeninë e familjarëve të tij që ai vetë e quan edhe si ilegale.

“Si i ri ilegalisht prej familjes kisha marr vendimin që të jem pjesë e UÇK-së. Kur e mora pushkën s’kisha qysh me fsheh u dashke me shku me pushkë në shpi, nana e murr vesh, gjyshja, vëllezërit motrat ndërsa, baba ka qenë në Gjermani i përndjekur politikisht gjatë viteve 90-ta”, rrëfeu Kajtazi.

Frika dhe brenga e tij e vetme ishte se çka do i thoshte i ati, i cili në atë kohë nuk ishte afër familjes.

Fjalët e të atit për Agronin ishin shtysa më e madhe për ditët e rënda që do t’i sillte lufta.

“Një ditë babi më kish ftue me fol në telefon ndërkohë, isha me emocione se çka do të thotë baba sa do të më qortojë mu. Duke prit të më bërtiste ai më foli fjalët më të mira të mundshme, babi më tha, “Po ti na e ke zdrit fytyrën e familjes tonë, ti e ke nderu vetën edhe shtëpinë tonë””, tha Kajtazi.

Një nga nxitjet e para për të marr këtë rrugëtim Kajtazi tha se përkon me datat 25,26,27 dhe 28, nëntorit kur ishte bërë beteja e parë e UÇK-së, vrasja e mësuesit Halit Geci për të pasuar deri në rrethimin e familjes Jashari.

“Ndjenjat kanë qenë motivuese nga vetë rasti i 25,26,27 dhe 28 nëntorit 1997, kur është bërë edhe beteja e parë e UÇK-së në Llaushë. Atë ditë është vra edhe mësuesi Halit Geci, pastaj vazhduam me gjërat tjerë me përjetimet e tmerrshme të Serbisë që i bëri në Likoshan. Dhe, duke vazhdu me 5, 6 dhe 7 marr 1998, koha kur është sulmu komandanti legjendar Adem Jashari dhe familja Jashari. Ky ka qenë motivi apo nxitja për të qenë ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pa marr parasysh moshën time të re sepse isha vetëm 16 vjet. Mirëpo, ka qenë insistimi im edhe vullneti i madh që të jem ushtarë i Ushtrisë Çlirimtare me ndihmën e komandantit sy patrembur “Sandokanit”, Abedin Rexhës, u armatosa dhe isha pjesë e UÇK-së që nga ditët e para deri në fund”, tha Kajtazi.

Pavarësisht betejave, vrasjeve, plagosjeve atmosfera brenda shtabit ku Kajtazi po shërbente ishte gjithmonë nën petkun e një ideali të përbashkët.

“Atmosfera në grup ose nëpër njësi, togje skuadra, brigada në tërësi ka qenë gjithmonë motivuese për mos me u ndërpre, për me vazhdua lufta e UÇK-së. Realisht pavarësisht terrorit që ishte jashtë ku kemi përjetu vrasje, plagosje, brenda nuk ka pasur demoralizim ka qenë çdo herë optimist, ka pas veç brohoritje për me qenë triumfues përball forcave serbe deri në ditën e çlirimit. Gjatë një bejte në piken e hovit sa isha një kohë në batalionin e dytë të brigadës 112 për një moment kishim nevojë me bë një sulm kundër armikut dhe ishim vetëm tre ushtarë të UÇK-së të gatshëm që të përdorim një armë të rëndë siç ishte gulinovi dhe e zgjedhim prej tre bashkëluftërave që ishim të tre gjashtëmbëdhjetë vjeçar, Jetoni realisht ish gati pak afër 17 vjeç dhe ish më i madh fizikisht e përdorëm që ai ta kap gulinovin…”, tha Kajtazi.

Edhe pse kanë kaluar 22 vite që nga përfundimi i luftës, ka luftëtarë të UÇK-së që takohen akoma.

Por, Kajtazi tha se u mungon një shtëpi ku ata të bëjnë takimet e tyre e që do duhej që këtë zgjidhje ta bënte vetë shteti apo edhe komuna.

“Ta kemi një shtëpi diku në komunën tonë, një vend ku mund të takohemi, çka do t’i kushtonte komunës ose shtetit. Takimet tona nuk janë të rastësishme, janë të përhershme vëllazërore. Unë i takojë bashkëluftëtarët anë e këndë Kosovës, kemi pas edhe të zonave tjera që kanë ardh. Bashkë me një pjesë të tyre kemi krijuar motoristet ku si qëllim kemi të vizitojmë bashkëluftëtarët, familjet e tyre, invalidë të luftës”

Ashtu si të gjithë luftëtarët e lirisë edhe Kajtazi ndanë disa këshilla për rinin e Kosovës duke u thënë se gjënë më të çmuar që e ata sot e gëzojnë është liria, për këtë ata duhet ta duan dhe ta mbajnë çdo herë. /arbresh.info/