Borrell flet për referendumin serb: Të lejohet votimi në Kosovë

Shpërndaje

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Çështje të Sigurisë, Josep Borrell, duke iu referuar referendumit të Serbisë për ndryshimet kushtetuese, ka thënë se qytetarët në Kosovë duhet të jenë në gjendje të votojnë.

Sipas tij, në të kaluarën mbledhja e votave është bërë përmes lehtësimit të OSBE-së.

“Kam folur me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq në lidhje me referendumin për Kushtetutën që organizohet të dielën në Serbi. Mbledhja e votave në të kaluarën, është bërë përmes lehtësimit të OSBE-së. Qytetarët duhet të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar”, ka shkruar Borrell.

Megjithatë, Kurti e ka bërë të qartë qëndrimin e Qeverisë së Kosovës se nuk mund të ketë referendum në Kosovë, por serbët me shtetësi të dyfishtë mund të votojnë me postë ose në zyrën ndërlidhëse në Prishtinë.

Serbia, më 16 janar, do të mbajë referendum për ndryshimet kushtetuese që kanë të bëjnë me fushën e drejtësisë.

Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër mbajtjes së referendumit. Kryeministri Albin Kurti kishte deklaruar se mbajtja e këtij referendumi edhe në Kosovë është shkelje e ligjit dhe Kushtetutës. Më tutje, ai kishte thënë se Serbia ka planifikuar që ta mbajë këtë referendum në Kosovë në mes të datave të rëndësishme në vend.

“E dimë që Serbia planifikon që të mbajë një referendum në Kosovë më 16 janar për çështje të saj të brendshme por Qeveria e Kosovës nuk është dakord me një synim të tillë. Jo vetëm se kjo është në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën tonë por edhe se konsiderojmë që praktikat e mëhershme që i kanë praktikuar qeveritë e mëparshme kanë qenë po ashtu në shkelje të ligjit dhe Kushtetutës sonë, e sikur kjo mos të mjaftonte kujtojnë që kjo ndodhet në mes të 15 janarit dhe 17 janarit”, kishte thënë Kurti.

Ai kishte thënë se në mes të këtyre datave është përvjetori i masakrës së Reçakut, përvjetori i vrasjes së Kadri Zekës, vëllezërve Gërvalla.

Më 15 janar është përvjetori i masakrës në Reçak që në vazhdimësi e mohojnë zyrtarët e Serbisë deri te presidenti i fqinjit tonë verior. Teksa, 17 janari është 40-vjetori i vrasjes së Kadri Zekës dhe vëllezërve Gërvalla, Bardhosh dhe Jusuf Gërvalla. Po ashtu, është edhe katër vjetori i vrasjes së politikanit serb nga Mitrovica, Oliver Ivanoviq.

Në ndërkohë, e ashtuquajtura zyrë për Kosovën në qeverinë serbe ditë më parë ka bërë të ditur se e kanë njoftuar Brukselin dhe vendet e QUINT-it për refuzimin e kryeministrit Kurti për ta mundësuar mbajtjen e referendumit serb në Kosovë.

Më herët, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq kishte thënë se është informuar jo formalisht se nuk do të lejohet mbajtja e referendumit në Kosovë më 16 janar dhe se do të përpiqet t’i bindë institucionet e Kosovës përmes Brukselit, që t’i lejojnë qytetarët serbë të votojnë.

Serbët, në referendumin e 16 janarit duhet të deklarohen nëse pajtohen me ndryshimin kushtetutës në pjesën ku flitet për mënyrën e zgjedhjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve./Kp