Ministri i Shëndetësisë: Masa si në Kosovë edhe në Maqedoni, nëse rritet numri i të infektuarve

Shpërndaje

Ministri i Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut, Bekim Sali, në një intervistë për gazetën LAJM, ka deklaruar se situata me pandeminë javën e fundit është përkeqësuar. Ai ka paralajmëruar masa të reja dhe stimulimin e qytetarëve për vaksinim për tu mbrojtur nga koronavirusi. Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, në 24 orët e fundit janë shënuar 2,341 raste të reja, 26 viktima si dhe 1,470 të shëruar.

“Dua vetëm të paralajmëroj se këtë javë nuk jemi shumë mirë sepse edhe liria e tepërt e popullatës pa ndërmarrë ndonjë masë restriktive që te ne nuk po ndodh për shkak të tolerancës që e kemi ende deri në një nivel të caktuar, kjo liri po na shkakton rritje të numrit të të infektuarve dhe për fat të keq rënia e interesit për vaksinim. Në këtë drejtim jemi duke marrë masa ose duke krijuar një strategji të re për stimulim të opinionit për të dhënë përgjigje pozitive për vaksinim”, u shpreh për LAJM, ministri i shëndetësisë Bekim Sali.

Lidhur me ashpërsimin e masave nga Qeveria e Kosovës, e cila nuk lejon hyrje në territorin e saj për shtetasit e huaj që nuk kanë marrë dozën e tretë të vaksinës, Sali tha se i ka bërë me dije kolegut të tij kosovar, se ky vendim do ta rëndojë lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe ekonomitë e dy vendeve.

“Ne si ministra të shëndetësisë jemi në komunikim me doktor Rifat Latifin, ministër i shëndetësisë në Kosovë. Edhe ata edhe ne, në baza ditore e ndjekim situatën epidemiologjike që është në vend dhe shpeshherë vendimet merren në bazë të numrave dhe raporteve që i marrim të dy palët nga Instituti i Shëndetit Publik. Është për tu përshëndetur dhe respektuar vendimi i tyre, por dua ta ceki se unë kam alarmuar në nevojën e komunikimit të përditshëm të banorëve të vendit tonë, si nevojë e plotësimit të kërkesave të tyre që janë, kërkesa familjare, biznesore dhe kërkesa tjera që në baza ditore i bëjnë qytetarët. Kjo ndjeshëm e ka rënduar dhe do ta rëndojë ekonominë edhe të Kosovës edhe të vendit tonë. Kjo ka qenë arsyeja kryesore e komunikimit tim me kolegun Latifi. Gjithashtu, jemi në kontakt të vazhdueshëm, i shohim si shkojnë numrat atje dhe si i kemi ne këtu”, u shpreh Bekim Sali, ministër i shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut.

Intervistën e plotë që gazeta LAJM ka zhvilluar me z.Sali, mund ta ndiqni në videon më poshtë.