Miratohet rezoluta kundër organizimit të referendumit të Serbisë

Shpërndaje

Kuvendi i Kosovës me 76 ka miratuar rezolutën kundër lejimit të organizimit të referendumit të Serbisë brenda territorit të Kosovës.

Pos Vetëvendosjes si parti në pushtet, rezoluta u përkrah nga deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Pjesa e plotë:

Me 76 vota për, sot në Kuvendin e Kosovës u miratua Rezoluta e ku shprehet qëndrimi i përbashkët kundër organizimit të referendumit të Serbisë në Kosovë.

8 pikat e Rezolutës, të harmonizuara mes 4 grupeve parlamentare në Kuvendin e Kosovës, kanë këtë përmbajtje:

1. Kuvendi i Republikës së Kosovës kërkon nga Qeveria dhe institucionet gjegjëse të Republikës së Kosovës që të ndërmarrin të gjitha veprimet brenda kompetencave të tyre për të mos lejuar cenimin e sovranitetit dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës nga mbajtja e referendumit të një shteti të huaj në territorin e Republikën së Kosovës.

2. Kuvendi thekson përkushtimin e Republikës së Kosovës për të garantuar dhe mbrojtur të gjitha të drejtat e shtetasve të Republikës së Kosovës në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës.

3. Në këtë frymë, Kuvendi i Republikës së Kosovës vë në pah të drejtën e qytetarëve me dyshtetësi të Republikës së Kosovës, që të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në përputhje me standardet kushtetuese dhe praktikat ndërkombëtare. Në rastin konkret, të gjithë qytetarët e Kosovës që kanë edhe shtetësinë e Serbisë u garantohet e drejta që të votojnë nëpërmjet postës dhe Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë.

4. Kuvendi thekson se hapja e qendrave të votimit për referendumin e Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës, sikundër edhe përfshirja e grupacioneve apo strukturave ilegale në një organizim të tillë, përbën shkelje të qartë të Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës, si dhe praktikave ndërkombëtare.

5. Kuvendi i Republikës së Kosovës shprehë kundërshtim ndaj veprimeve të vazhdueshme të Serbisë për të instrumentalizuar dhe keqpërdorur qytetarët serb të Republikës së Kosovës, në shërbim të politikave të veta armiqësore kundër Republikës së Kosovës.

6. Kuvendi i Republikës së Kosovës mirëpret qëndrimet e prera të bashkësisë ndërkombëtare për sundimin e ligjit në Kosovë dhe pret mbështetjen për të drejtat legjitime dhe qasjen parimore të Republikës së Kosovës, meqë vetëm duke trajtuar në mënyrë të barabartë të gjitha shtetet e rajonit mund të garantohet stabiliteti, demokracia dhe fryma euro-atlantike e rajonit tonë. Gjithashtu, kërkon nga qeveria të vazhdojë bashkërendimin me partnerët strategjik të Kosovës në interes të ruajtjes së kushtetutshmërisë dhe sovranitetit shtetëror.

7. Kuvendi i Republikës së Kosovës mbetet i përkushtuar për të dhënë kontributin e tij për mbrojtjen e sovraniteti dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës dhe të drejtave kushtetuese të të gjithë qytetarëve të saj, si dhe avancimin e demokracisë dhe agjendës euro-atlantike në rajonin tonë.

8. Kuvendi i Republikës së Kosovës mbetet i përkushtuar për të dhënë kontributin e tij për mbrojtjen e sovraniteti dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës dhe të drejtave kushtetuese të të gjithë qytetarëve të saj, si dhe avancimin e demokracisë dhe agjendës euro-atlantike në rajonin tonë.