Kryeministri i Sllovenisë i del në mbrojtje Martin Berishajt: Është trillim i pastër

Shpërndaje

Kryeministri i Sllovenisë, Robert Golob, të enjten e ka quajtur trillim të pastër përfshirjen e tij në ndonjë aferë me ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

Në prill të vitit të kaluar, ambasadori Berishaj akuzohej nga mediat në Lubjanë se është përfshirë në një skandal për shpëlarje parash në Slloveni. Ai dyshohej se i kishte pranuar 600 mijë euro në xhirollogarinë bankare të kompanisë “MB Consulting” dhe mjetet i kishte nxjerrë kesh për t’ia kthyer Golobit.

Golob ka thënë se këtë lajm e ka nisur partia SDS, e ish-kryeministrit Janez Jansha, para zgjedhjeve në Slloveni.

“A e dini se kush e nisi këtë. Këtë e ka nisur partia SDS para zgjedhjeve tona. Në atë kohë ata thanë se më financuan mua dhe fushatën time. Por më pas zbuluam se ky Berishaj, meqë ra fjala është ambasador në Zagreb, është mik personal i Janez Janshas. Dhe në atë moment, gjëja nga Sllovenia u zhduk. Tani u ringjall, me sa duket në Kosovë, ndoshta nga miqtë, armiqtë, nuk e kam idenë”, ka thënë Golob për një televizion slloven.

“Pra, ju e mohoni këtë nëse ju kuptoj saktë?”, pyetet kryeministri slloven, ndërsa përgjigjet: “E gjithë kjo është trillim i pastër”.

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, i ka dalë në krah Berishajt, duke thënë se s’ka ndonjë provë faktike për ta shkarkuar.

Edhe vetë Berishaj, përmes një reagimi të mërkurën, ka hedhur poshtë të gjitha akuzar që janë drejtuar ndaj tij.