Kurti takohet me Zëvendës Presidenten e Zvicrës, Viola Amherd

Shpërndaje

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, po qëndron në vizitë zyrtare në Davos të Zvicrës në margjinat e Forumit Ekonomik Botëror për një takim të udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor.

Nga atje, Kurti përmes një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se ka takuar zëvendës Presidenten e Zvicrës, Viola Amherd dhe Ministrin e Ekonomisë së Zvicrës, Guy Parmelin, përcjell albazone media.

Postimi nga KURTI:

Në Davos takova Zëvendës Presidenten e Zvicrës, Viola Amherd dhe Ministrin e Ekonomisë së Zvicrës, Guy Parmelin. U shpreha mirënjohjen e thellë për kontributin e Zvicrës dhënë për Kosovën. Theksuam rëndësinë e mërgatës sonë në Zvicër, që janë urë lidhëse mes dy shteteve tona.

Me Kryeministrin e Republikës së Kroacisë, Andrej Plenkoviq potencuam se me Kroacinë, Republika e Kosovës ka të përbashkët të kaluarën, por edhe të ardhmen brenda Bashkimit Evropian dhe NATO-s.

Takova edhe përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajčák. Biseduam për hapat e mëtejmë dhe nevojën për dinamizim të procesit të dialogut drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohje reciproke në qendër.

Ndërsa me Zëvendëskryeministrin e Ukrainës dhe Ministrin e Transformimit digjital, Mylkhailo Fedorov dhe Administratoren e USAID-it, Samantha Power, në Shtëpinë e Ukrainës në Davos diskutuam mbi transformimin digjital.