Murati kritikon LDK-në pasi votuan kundër marrëveshjes financiare me Bankën Botërore

Shpërndaje

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka kritikuar Lidhjen Demokratike të Kosovës, pasi deputetët e kësaj partie votuan kundër marrëveshjes financiare-ndërkombëtare për reformimin e sistemit të asistencës sociale.

Murati ka deklaruar se nuk ka ndodhur asnjëherë që të mos votohet një marrëveshje financiare ndërkombëtare, transmeton Telegrafi.

“Në të kaluarën, ka pasur shumë raste kur marrëveshjet ndërkombëtare ku grupet parlamentare nuk kanë marrë pjesë fare në votim, për të mos e mundësuar formimin e kuorumit, kësisoj marrëveshja është shty për seancën e radhës, por nuk ka ndodhur asnjëherë që një marrëveshje financiare ndërkombëtare të rrëzohet me vota kundër, siç ndodhi sot”, tha Murati në konferencën e thirrur për media.

Murati tha se kishte pyetje e kërkesa për sqarime për te cilat tha se është munduar t’i sqaroj.

“Bëhet fjalë për financim të reformës pra ndërtimit të sistemit dhe reformimit të sistemit në mënyrë që të bëhet më efikas, në targetin e familjeve në nevojë. U tha që ne gjoja se ne i paskemi kundërshtua marrëveshje të tilla ndërkombëtarë, u tha që në të kaluarën nuk ka ndodh asnjëherë që te hyhet më marrëveshje të tilla për të financuar skemat sociale që të dyja janë të pavërteta. Madje në vitin 2020 kur sapo na kishin rrëzuar nga qeveria dhe kishte ardhur një koalicion i ri e kishin sjellë marrëveshjen me Bankën Botërore në vlerë prej 46 milion euro që parashihte rritjen e përfitimit për skemën e ndihmës sociale”, ka thënë Murati.

“Ky nuk është sinjal i mirë në raport më bashkëpunëtorët tanë, sidomos me Bankën Botërore, megjithatë unë sot kam caktuar një takim virtual në orën 16:00, me drejtorin e zyrës së Bankës Botërore për rajonin, në mënyrë që ta shohim se a mund ta ripërsërisim, apo si të vazhdojmë tutje, për shkak se bëhet fjalë edhe për afate të caktuar kohore të cilat duhet t’i respektojmë”, shtoi ai.

Ndryshe, me vetëm 75 vota për, Kuvendi i Kosovës dështoi të miratoi marrëveshjen ndërkombëtare për projektin e reformës së sistemit të ndihmës sociale në vend.

E njëjta u konsiderua e nevojshme nga Qeveria Kurti dhe u përkrah edhe nga dy partitë opozitare, PDK dhe AAK, mirëpo u kundërshtua nga LDK.