Presidenti Erdogan nis vizitën në Shqipëri (Video)

Shpërndaje

Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan ka mbërritur në Shqipëri në kuadër të vizitës zyrtare në vendin tonë.

Avioni i Presidentit Erdogan u ul në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” në orën 10:20, rreth 55 minuta me vonesë nga sa ishte parashikuar në axhendë.

Kreu i shtetit turk u prit në aeroport nga Kryeministri Edi Rama me ceremoni zyrtare. Mes dy liderëve pati një takim miqësor.

Të pranishëm në aeroport ishin edhe ministrat e kabinetit qeveritar dhe anëtarë të tjerë delegacionit turk e shqiptar.

Më pas, Erdogan dhe Rama u nisën drejt Laçit për të inauguruar 524 apartamente të financuara nga qeveria turke pas tërmetit të 26 Nëntorit 2019.

Kryeministri Rama dhe Presidenti Erdogan do të zhvillojnë një takim mes tyre, në Kryeminisri, që do të pasohet nga një konferencë e përbashkët për shtyp.

Në vijim, dy personalitetet do të marrin pjesë në inaugurimin e xhamisë së Et’hem Beut, objekt i rëndësishëm të trashëgimisë sonë kulturore.

Në përfundim të vizitës, Presidenti i Republikës së Turqisë Recep Tayyip Erdogan do t’i drejtohet Kuvendit të Shqipërisë me një fjalë, në një seancë të posaçme parlamentare.

AXHENDA E VIZITËS SË PRESIDENTIT TURK NË TIRANË

10.20 – Ceremonia e dorëzimit të shtëpive të ndërtuara pas tërmetit në Laç

Ceremonia e emërtimit të sheshit në Laç me emrin e Presidentit të Republikës së Turqisë

13.00 – Takim midis Presidentit të Turqisë Sh.T.Z. Recep Tayyip Erdoğan dhe Kryeministrit të Shqipërisë, Sh.T.Z. Edi Rama

15.00 – Nënshkrimi i marrëveshjeve + konferenca e përbashkët për shtyp

16.00 – Ceremonia e inaugurimit të xhamisë së Et’hem Beut

17.00 – Përshëndetja e Presidentit të Republikës së Turqisë në Kuvendin e Shqipërisë.