“Zbardhet” marrëveshja për Prishtinën: Pesë drejtori dhe nënkryetarin i merr PDK-ja

Shpërndaje

Marrëveshja e arritur ndërmjet Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Partisë Demokratike të Kosovës për bashkëqeverisje në Prishtinë, e cila i hapi rrugë zgjedhjes së kryesuesit të Kuvendit Komunal, duket kështu.

Posti i nënkryetarit, do t’i takojë PDK-së. Edhe pse u lakua emri i Blerand Stavilecit për këtë post, megjithatë, zyrtarisht as nga LDK e as nga PDK nuk e kanë konfirmuar.

Pos postit të të dytit të Komunës, siç merr vesh Gazeta Blic, PDK do t’i ketë edhe 5 drejtori.

LDK-ja ia ka plotësuar kushtin PDK-së, që ta kishte Drejtorinë e Arsimit.

Pos kësaj drejtorie, PDK do të udhëheq edhe me Drejtorinë e Shërbimeve Publike, me atë të Kulturës, si dhe me dy drejtori tjera, që ende nuk dihet se cilat do t’i takojnë partisë, që në Prishtinë drejtohet nga Uran Ismaili.

Ndryshe, Gazeta Blic ka raportuar se si u arrit marrëveshja ndërmjet dy partive, vetëm pak minuta para se të fillonte mbledhja e Kuvendit Komunal, ku parashihej të zgjidhej kryesuesi.

Për marrëveshjen e arritur ndërmjet dy partive ka folur edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama por që nuk ka dhënë detaje.

Pasi u zgjodh kryesuesi i Asamblesë, Fehmi Kupina, Rama theksoi se ende nuk i kanë ndarë drejtoritë komunale me PDK-në. Teksa bëri me dije se kërkojnë njerëz profesional për të udhëhequr me drejtoritë.

“Jo, nuk i kemi ndarë. Kjo varet krejt prej njerëzve. Ne duam njerëz profesional, me eksperiencë menaxheriale, kjo është ideja dhe kështu do të shkojmë përpara. Një gjë e mirë që ka ndodhur edhe gjatë procesit të garës është që përbrenda programit tonë, programi ynë ka qenë i detajuar. Edhe programet të tjera (nga partitë) që kanë garuar në të njëjtën kohë, kemi ngjashmëri pothuajse 95 përqind ose 100 përqind. Kështu që nuk do të kemi probleme aty. Pra, ka mbetur vetëm çështja e gjetjes së njerëzve profesionist për të mirën e qytetarëve të Prishtinës, që ato premtime që i kemi bërë t’i zbatojmë”, theksoi Rama.

Kryetari i Prishtinës, Rama i ka bërë thirrje partive të tjera t’i bashkohen atij në bashkëqeverisje për zhvillimin e projekteve.

“Ne kemi për detyrë, unë si i zgjedhur i Prishtinës po ashtu edhe asamblistë të përzgjedhur prej qytetarëve të Prishtinës kemi detyrim ndaj tyre që ta bëjmë një për bashkim të kemi shumicën që projektet tona të cilat vetëm i kemi prezantua, i kemi fillua proceset t’i zbatojmë në përpikëri. Për këtë arsye edhe duhet të gjithë asamblistët, partitë që kanë interes dhe kanë tregu që kanë interes dhe kanë tregu një pozitivitet të për bashkohen dhe t’i çojmë punët përpara”, theksoi ai.