A po hyn Evropa në luftë? Paralajmërime të frikshme nga SHBA-të dhe Anglia

Shpërndaje

Kryeministri i Britanisë së Madhe Boris Johnson ka deklaruar se Rusia po planifikon luftën më të madhe në Evropë që nga viti 1945, e një paralajmërim të ngjashëm e kanë bërë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Johnson i referohet luftës së dytë botërore, duke thënë për BBC se “të gjitha shenjat janë se plani tashmë ka filluar në disa kuptime”.

“Inteligjenca thotë se Rusia synon të nisë një pushtim që do të rrethojë kryeqytetin ukrainas Kiev”, tha Johnson.

Më tutje, ai tha se njerëzit duhet ta kuptojnë koston e madhe njerëzore që mund të sjellë kjo luftë.

Kryeministri britanik po fliste nga Mynihu ku liderët botërorë po takohen në konferencën vjetore të sigurisë.

Ndërkohë, duke folur për mediat në Konferencën e Sigurisë në Mynih, nënpresidentja e SHBA-ve, Kamala Harris u bëri thirrje të gjithëve që të ndalen për “një çast për kuptuar rëndësinë e asaj për të cilën po flasim”, në lidhje me trupat ruse të grumbulluara pranë kufirit ukrainas.

“Kanë kaluar mbi 70 vjet dhe gjatë këtyre 70 vjetëve, siç e përmenda dje, ka pasur paqe dhe siguri. Ne po flasim për mundësinë reale të luftës në Evropë”, tha ajo.

Zonja Harris ritheksoi se një zgjidhje diplomatike ishte ende zgjidhja e preferuar për çështjen e pushtimit të mundshëm të Ukrainës nga Rusia.