Biden i bindur se Putini do ta pushtojë Ukrainën
Presidenti amerikan, Joe Biden, në një konferencë të jashtëzakonshme për media të premten në mbrëmje, është shprehur i bindur se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, do ta pushtojë Ukrainën.
“Të jemi të qartë, ju jeni i bindur që presidenti Putin do ta pushtojë Ukrainën, a është kjo ajo që sapo thatë?” ishte pyetja e një gazetari drejtuar Bidenit në konferencë. Përgjigja ishte e prerë: “Po”, raporton CNN.
Biden deklaroi më parë se nuk besonte se lideri rus kishte vendosur për sulm, por pranoi se njohuritë e tij mbi të menduarit e Putinit ishin të kufizuara.
“Kemi arsye të besojmë se forcat ruse po planifikojnë të sulmojnë Ukrainën javën e ardhshme, në ditët në vijim”, tha Biden në një fjalim televiziv.
Ai tha se SHBA-ja beson se Rusia mund ta ketë në shënjestër kryeqytetin e Ukrainës, Kiev.
“Ne do ta mbajmë Rusinë përgjegjëse për veprimet e saj. Perëndimi është i bashkuar dhe i vendosur. Ne jemi të gatshëm të vendosim sanksione të ashpra ndaj Rusisë nëse ajo pushton më tej Ukrainën”, tha Biden.
“SHBA-ja dhe aleatët e partnerët tanë do të mbështesin popullin ukrainas”, theksoi ai.
Presidenti amerikan tha se Rusia mund të zgjedhë ende diplomacinë dhe se “nuk është vonë për t’u kthyer në tryezën e negociatave”.