Formimi i qeverisë së re në Malin e Zi, Abazoviç bisedoi me Gjukanoviçin

Shpërndaje

Para një javë në malin e Zi është shkarkuar nga detyra kryeministri, Zdravko Krivokapiç, i cili humbi besimin edhe të partnerëve të koalicionit që tashmë kanë nisur negociatat me partitë e tjera parlamentare për të formuar një qeveri të re.

Këtë të premte në kuadër të formimit të qeverisë së re, lideri i Lëvizjes Qytetare URA, Dritan Abazoviç dhe drejtori ekzekutiv i partisë, Zoran Mikiç, biseduan me një sërë partish parlamentare.

Mediat vendase bëjnë me dije se një ditë më parë Lëvizja ka zhvilluar një takim me përfaqësues të Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) të Milo Gjukanoviçin, të cilët, siç thonë ata, “paraprakisht i kanë dhënë mbështetje qeverisë evropiane, por që nuk do të jenë pjesë e kabinetit qeveritar”.

“Takimi është mbajtur në ndërtesën e Presidencës, me Milo Gjukanoviçin, Danijel Zhivkoviçin dhe Ivan Vukoviçin, të cilëve u janë prezantuar prioritetet e qeverisë evropiane”, thuhet në komunikatën e URA-s.

Takime u zhvilluan edhe me partitë e tjera parlamentare duke përfshirë edhe përfaqësuesit politikë shqiptarë Fatmir Xheka dhe Nik Gjeloshajn.

Theksojmë se zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Abazoviç kishte deklaruar se së shpejti do të krijohet qeveria e re, e cila si prioritetet do të ketë luftimin e krimit dhe korrupsionit si dhe rrugën evro-atlantike.

Krivokapiç u shkarkua gjatë javës së kaluar pas shumë mosmarrëveshjeve me partnerët e koalicionit rreth rrugëtimit evropian ndërsa kishte shkaktuar edhe incidente diplomatike./abcnews.al/