LSDM propozon djalin e Albert Musliut për konsul në Çikago

Shpërndaje

Propozimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme që prezantuesja televizive, Besmira Ejupi të dërgohet si konsul në Nju Jork ka shkaktuar reagime të shumta në opinion, shkruan portali Zoom.mk.

Kështu është vendosur mbrëmë në seancën e mbyllur të Qeverisë. Zëdhënësit e Qeverisë, Dushko Arskovski dhe Muhamet Hoxha nuk kanë mundur të përgjigjen në pyetjen nëse është apo jo i vërtetë ky informacion, duke potencuar se në pjesën e hapur të mbledhjes qeveritare nuk ka pasur pikë të tillë të rendit të ditës. Megjithatë, nuk është vetëm prezantuesja Besmira Ejupi, por siç shkruan portali Zoom edhe djali i analistit Albert Musliu, Petrit Musliu është emëruar konsul në Çikago.

Sipas informacioneve ai tashmë e kryen këtë funksion. Në opinion, Albert Musliu është i njohur si analist që mbështet politikat e qeverisë aktuale. Sipas portalit Zoom, As Petrit Musliu as Besmira Ejupi nuk janë diplomat, respektivisht nuk kanë arsimim dhe përvojë të kësaj fushe.

Sipas informacioneve jozyrtare propozimi që djali i Albert Musliut të dërgohet si konsul në Çikago është bërë nga LSDM-ja e Kovaçevskit.