Rusia përjashtohet nga sistemi SWIFT

Shpërndaje

Pasi Perëndimi arriti unitetin dhe vendosi t’i përjashtojë bankat ruse nga sistemi i transaksioneve ndërkufitare SWIFT, ky sistem pagesor nuk do të mund të përdoret më nga Banka Qendrore Ruse si dhe kreditorët më të mëdhenj rusë. Gjithsej treqind banka ruse e përdorin sistemin ndërsa Rusia renditet e dyta për nga numri i përdoruesve, pas Shteteve të Bashkuara. Kjo masë praktikisht do të bllokojë importet dhe eksportet ruse, veçanërisht të gazit dhe naftës, shkruan Alsat.

“Jemi në komunikim me autoritetet evropiane për të marrë detaje rreth subjekteve që do t’i nënshtrohen masave të reja dhe po përgatitemi t’i zbatojmë ato”, thonë nga SWIFT

Sekretarja e jashtme britanike Liz Tras thotë se është duke u përgatitur lista e oligarkëve që do të përfshihen në sanksione.

“Po e ndalojmë eksportin e teknologjive në Rusi. Po e ndalojmë aftësinë e kompanive ushtarake për të përfituar në tregjet ndërkombëtare. Po e përjashtojmë Rusinë nga sistemi SWIFT, në mënyrë që ata të mos mund ta financojnë këtë makineri ushtarake”, tha Liz Tras- sekretare e jashtme e Britanisë së Madhe

Pjesë e sanksioneve të reja ndaj Rusisë është edhe ngrirja e rezervave valutore të Bankës Qendrore, përkatësisht rreth 643 miliardë dollarë amerikanë. Me faktin se Kremlini nuk do të jetë në gjendje t’i tërheqë valutat, rubla pritet të fillojë të humbasë vlerën dhe në të njëjtën kohë të ngrejë çështjen e likuiditetit të bankave.

“Banka ruse ka burimet dhe instrumentet e nevojshme për të ruajtur stabilitetin financiar dhe për të siguruar vazhdimësinë operacionale të sektorit financiar”, thonë nga Banka Qendrore e Rusisë

Komisioni Evropian ka krijuar gjithashtu një organ transatlantik për të mbikëqyrur zbatimin e sanksioneve financiare të vendosura ndaj oligarkëve të afërt me Putinin si dhe kompanive shtetërore ruse, dhe për të ndaluar lëshimin e të ashtuquajturave “Pasaportat e arta” për oligarkët rus.

“Si pjesë e përpjekjeve tona, angazhohemi për sanksione kundër zyrtarëve dhe elitave ruse pranë qeverisë ruse, si dhe familjeve të tyre, duke identifikuar dhe ngrirë asetet e tyre nën juridiksionin tonë”, thonë nga Komisioni Evropian.

Pas shpalljes së masave të reja të Perëndimit, siç raporton “Financial Times”, shumë banorë të Moskës iu drejtuan bankomatëve për të tërhequr para, me frikën se nuk do të mund të përdornin shërbimet e “Master Card” dhe “Visa”. Disa bankierë thanë se njerëzit janë në panik dhe tërheqja e parave të gatshme do të shkaktonte dëme të mëdha.