Ushtarët ukrainas trajnojnë popullatën civile për situata lufte

Shpërndaje

Njësitë rezervë të ushtrisë së Ukrainës po ofrojnë trajnime ushtarake bazike për raste lufte me popullatën civile në kryeqytetin Kiev.

Shumë ukrainas, të rinj dhe të vjetër, morën pjesë në stërvitjen ushtarake, e cila u zhvillua me pjesëmarrjen e Batalionit të Mbrojtjes Rajonale Desnianskiy, Shtabit të Mbrojtjes së Kievit dhe disa OJQ-ve ukrainase.

Në kuadër të ngjarjes, e cila u zhvillua në natyrë, qytetarëve iu dhanë trajnime bazë ushtarake, duke përfshirë ndihmën e parë, përdorimin e armëve dhe taktikat e mbrojtjes në rast të një lufte të mundshme.

Andriy Rikun, përfaqësues i Shtabit të Mbrojtjes së Kievit, tha për Anadolu Agency (AA) se trajnimi u organizua për të bashkuar njerëzit që do të mbronin rajonin.

Ai tha se pjesëmarrësit po stërviten për të zmbrapsur armikun në raste nevoje.

“Në kuadër të trajnimit, ata mësojnë se si të evakuohen në raste urgjente, si të japin ndihmën e parë dhe si të mbrojnë familjet e tyre”, deklaroi Rikun.

Rikun deklaroi se stërviten që nga viti 2014 dhe se do të vazhdojnë.

– “Mendoj se gjëja më e rëndësishme është të mos bësh panik, të jesh gati”

Një 38-vjeçar nga Kievi, i cili mori pjesë në trajnim dhe nuk donte të identifikohej, deklaroi se trajnimi ishte shumë i dobishëm.

“Qytetarët kanë një vetëdije të dobët për sa i përket asaj se ku të ikin dhe si të veprojnë në situata serioze. Mendoj se çdo rajon duhet ta bëjë këtë trajnim bazik. Sa më shumë njerëz të ndjekin trajnimin, aq më mirë. Mendoj se gjëja më e rëndësishme është të mos bësh panik, të jesh gati”, tha qytetari nga Kievi.

Ushtari rezervë 54-vjeçar Sergiy Amuseviç tha se qëllimi i stërvitjes është të parandalojë panikun në një situatë ushtarake dhe të mësojë se çfarë duhet bërë.

Ai tha se qëllimi është që gjysmë milioni njerëz të marrin trajnimin deri në pranverë.

Amuseviç po ashtu e falënderoi Turqinë për ndihmën e ofruar.

“Turqia është popull vëlla”, theksoi ai.

Duke u shprehur se përpjekja e presidentit Recep Tayyip Erdoğan për të vepruar si ndërmjetës midis Rusisë dhe Ukrainës është pozitive, Amuseviç tha: “Natyrisht, ne duhet ta zgjidhim konfliktin në mënyrë paqësore nëse është e mundur, por nëse ka një konflikt, ne do të mbrohemi”.