Zyrtari i NATO demanton Kovaçevskin për “shtetësinë”, faji qëndron brenda institucioneve të vendit dhe jo tek NATO

Shpërndaje

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, deklaroi dje se të paktën 20 mijë aplikime për shtetësi janë në pritje të shqyrtimit nga Agjencia për Siguri Kombëtare. Sipas kryeministrit, vonesat bëhen pët shkak të mbingarkesës së agjencisë e cila ka trashëguar një numër të madh aplikimesh prej ish DSK-së. Megjithatë, vonesat në procesuimin e aplikimeve janë shpesh në kundërshtim me ligjin për shtetësinë, i cili i jep Agjencisë një maksimum prej 6 muajsh për të dhënë një mendim për personin e caktuar. Mendimi i ASK-së ka të bëjë me kërcënimet e mundshme për sigurinë kombëtare të paraqitura nga aplikanti, përcjell in7.

Kryeministri fajësoi anëtarësimin në NATO dhe detyrimet lidhur me sigurinë për të shpjeguar vonesat dhe pamundësinë e Agjencisë së Sigurisë Kombëtare për të dhënë përgjigjet e saj brenda periudhës gjashtëmujore. Kjo sepse sipas tij, standardet e NATO-s zvarrisin procesin e furnizimit të qytetarëve me shtetësi.

“Vetë verifikimet tani janë më thelbësore sepse neve jemi anëtare e plotfuqishme ne NATO-s dhe për këtë arsye procedurat janë më të gjata përfshinë kritere më të ndjeshme se ato që ishin paraprakisht”, tha kryeministri Dimitar Kovaçevski.

Por a ka kushte të veçanta dhe të reja që kërkohen nga NATO në lidhje me pajisjen ne shtetësinë e një vendi anëtar të Aleancës më të fuqishme ushtarake?

A vendos NATO ndonjë kërkesë për shtetet e saj anëtare në lidhje me verifikimin e aplikimeve për shtetësi?

Me këtë pyetje, in7.tv sot u drejtua në Zyrën e Shtypit dhe Mediave në Divizionin për Diplomaci Publike të NATO-s në Bruksel, prej nga morëm përgjigje se NATO nuk është kompetente pêr verifikimin e sigurisë së personave që kërkojnë shtetësinë e një vendi anëtar. Si rrjedhojë edhe nuk mund të ketë kërkesa apo kushte të reja sa i përket verifikimeve dhe vonesave të aplikimeve për shtetësinë e Maqedonisë së Veriut.

“Procesi i verifikimeve të sigurisë është një përgjegjësi ekskluzive, sovrane e aleatëve individualë të NATO-s. Ju sugjeroj që për këtë çështje të drejtoheni tek autoritetet e Maqedonisë së Veriut”, deklaroi për in7 zyrtar i NATO-s në Bruksel.

Çështja e shtetësisë u riaktualizua në media ditëve të fundit pas akuzave nga Aleanca për Shqiptarët në lidhje me vonesat dhe zvarritjen e panevojshme të dhënies së certifikatave të shtetësisë. Kjo parti ishte promotore kryesore e Ligjit për Shtetësi, duke kushtëzuar partitë në pushtet me bllokimin e Kuvendit, gjë që çoi në arritjen e kompromisit dhe votimin e ligjit, që duhet të zgjidhë hallin e mijëra qytetarëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut./in7.tv/