“Helmimi i Abramovich ishte paralajmërim për të mos tradhtuar Kremlinin”

Shpërndaje

Gazetari investigativ Christo Grozev që punon për gazetën Bellingcat, i cili ishte i pari që publikoi helmimin e miliarderit rus Roman Abramovich, thotë se ky incident ka qenë një paralajmërim për të.

Miliarderi rus Abramovich ka marrë rolin e negociatorit për Ukrainën në raport me Rusinë për t’i dhënë fund luftës. Dhe duket se helmimi i tij dhe dy negociatorëve ukrainas, dyshohet me lëndë kimike por që nuk është përcaktuar ende, ka qenë thjesht një paralajmërim për të dhe për të tjerët që të mos tradhtojnë Kremlinin.

“Doza nuk ishte e lartë për të vrarë asnjë nga të tre. Objektivi më i mundshëm ishte Abramovich. Dhe ka kuptim. Ai doli vullnetar për të luajtur rolin e një ndërmjetësi të ndershëm, por oligarkë të tjerë rusë ishin shkëputur nga pozicionimi i Kremlinit dhe kritikuan luftën. Kështu që mund të shihet si një shenjë paralajmëruese për ata që të mos jenë shumë të ndershëm si ndërmjetës”, tha gazetari Grozev për Times Radio.

Ndërsa autoritetet britanike e kanë konsideruar shqetësuese tentativën për helmim gjatë bisedimeve të paqes Rusi-Ukrainë më 3 Mars.

Një zëdhënës i Abramovich pranoi se miliarderi rus kishte pasur simptoma, por nuk bëri deklarata të tjera.

Roman Abramovich shfaqi probleme me djegie të syve, dhimbje si dhe acarim të lëkurës në fytyrë dhe duar, shenja të cilat shkaktohen nga agjentë nervorë kimikë.

Deri tani Rusia nuk ka bërë asnjë deklaratë lidhur me këtë incident. /tvklan.al