Erdogan: Turqia synon aleanca më të forta dhe më pak mosmarrëveshje në botën islame
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka deklaruar se Ankaraja po punon për të forcuar aleancat dhe për të zvogëluar mosmarrëveshjet si mes nesh, ashtu edhe në mbarë botën islame.
“Ne besojmë se ka mirësi në unitet, po punojmë për të forcuar aleancat dhe për të zvogëluar mosmarrëveshjet si mes nesh, ashtu edhe në mbarë botën islame”, tha Erdogan në fjalimin e tij në programin e Javës së Lindjes së Profetit Muhamed në Stamboll, raporton Anadolu.
Presidenti Erdogan tha se shpreson që myslimanët, “të cilët formësuan historinë dhe sollën rend në botë për shekuj me radhë”, të ribashkohen “si tullat në një mur”.
Ai theksoi rëndësinë e unitetit mes myslimanëve, duke u bërë thirrje atyre të mbrojnë të drejtat e tyre dhe të punojnë së bashku për të ndërtuar paqen dhe sigurinë në rajon.
“Po kalojmë nëpër një luftë historike mes së mirës dhe së keqes dhe dashtë Zoti e mira do të triumfojë”, shtoi Erdogan.
“Ideologjia radikale, pushtuese dhe gjenocidale e njohur si sionizëm”, paralajmwroi Erdogan, jo vetëm që kërcënon paqen e fqinjëve të saj, por gjithashtu vë në shënjestër këdo që mbron vlerat njerëzore.
Presidenti turk tha se bota po dështon t’u përgjigjet në mënyrë adekuate “politikave të paligjshme të rrjetit gjenocidal” izraelit, të cilat shpërfillin rregullat, parimet, vlerat dhe kufijtë.
Erdogan gjithashtu tha se “qeveria e fiksuar pas luftës” e Izraelit po përdor provokime për të destabilizuar të gjithë rajonin, duke filluar nga fqinjët e tij.

