Maqedoni

Hiqen certifikatat për hyrje në qendra tregtare! KSI rekomandon zbutjen e masave anti-Covid

Shpërndaje

Edhe të pa vaksinuarit për Covid-19 do të mund të hyjnë nëpër qendra tregtare. Gjatë hyrjes nëpër dyqane qytetarët më nuk duhet të dëshmojnë me certifikata që janë të vaksinuar. Komisioni për sëmundje ngjitëse rekomandon shfuqizimin e kësaj mase, në hapësira ku bartet maska.

“Sollëm një përfundim të rëndësishëm, e kjo është që të rekomandohet shfuqizimi i obligimit për certifikata, gjatë hyrjes në qendra tregtare, gjegjësisht në vendet ku është e obligueshme mbajtja e maskave. Ky është një hap në drejtim të lehtësimit të masave, por për zhvillimin e ardhshëm do të jemi të kujdesshëm shumë, sepse nuk duam që me shfuqizimin e gjitha masave restriktive të arrijmë rezultate të papritur“, theksoi Aleksandar Petliçkovski, kryetar i KSI.

Për lehtësimin më të madh të masave, Komisioni theksoi nevojën për të rritur nivelin e vaksinimit të popullsisë, e cila tashmë është vetëm 41%. Në atë drejtim, nga sot nis fushata, me të cilën të gjithë qytetarët që bëjnë pjesë në grupet e rrezikut, do të pranojnë SMS-porosi nga mjekët amë, me datën dhe vendin e vaksinimit. Bëhet fjalë për grupet e qytetarëve mbi 65 vjeç që kanë sëmundje shoqëruese dhe ata nën 65 vjeç që kanë një numër më të madh të sëmundjeve shoqëruese.

“Sipas përllogaritjeve që i morëm nga Termini im 260 mijë qytetarë bëjnë pjesë në grupin me rrezik të lartë, 130 mijë apo gjysma e tyre nuk janë të vaksinuar plotësisht, ndërsa gjysma tjetër nuk e ka marrë dozën përforcuese. Këtu duhet të fokusohemi që të rrisim cilësinë e imunitetit të popullatës dhe të jetë bazë për zbutjen e mëtejme të masave”, tha Zllate Mehmedoviq, zëdhënës i KSI.

Shfuqizimi i kësaj mase duhet paraprakisht të diskutohet në Shtabin qendror koordinues, bashke edhe me dy masat tjera që paraprakisht i ka rekomanduar KSI, siç janë ajo për personat që e kanë kaluar virusin të marrin certifikatë me gjatësi prej 180 ditësh dhe gratë shtatzëna të kthehen në punë./TV21