Kryeministri Kurti merr pjesë në inaugurimin e parkut të erës “Selac Windpark”

Shpërndaje

“Me këtë investim Kosova ndërmerr hapin e parë të madh drejt një të ardhmeje më të qëndrueshme dhe të larmishme të furnizimit me energji të ripërtëritshme” tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në ceremoninë e inaugurimit të parkut të ri të erës “Selac Windpark” në fshatrat Selac dhe Bajgorë të Komunës së Mitrovicës.

Në këtë ceremoni, ku e pranishme ishte edhe Ministrja e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock, kryeministri Kurti vlerësoi këtë investim strategjik dhe veçanërisht përkushtimin e ministres gjermane Baerbock për zhvillimin e Kosovës.

“Agjenda e Gjelbër është një nga prioritetet e qeverisë sonë, jo vetëm sepse ajo përfshinë një aspekt të rëndësishëm të procesit tonë të integrimit në BE, por veçanërisht sepse ne kemi nevojë të ulim gradualisht përdorimin e qymyrit duke ruajtur pavarësinë tonë energjetike”, tha kryeministri Kurti.

Teksa i ka përmendur aspektet pse është i rëndësishëm ky investim, i cili do të mbulojë 10% të kapacitetit të instaluar të vendit tonë, do të ulë emetimet e CO2 dhe po ashtu do të kontribuojë në furnizimin e përgjithshëm me energji, kryeministri theksoi se është e qartë që në afat të gjatë zgjidhja e vetme e qëndrueshme është investimi në burimet e ripërtëritshme.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

Shkëlqesia juaj Ministre Baerbock,
I nderuar Z. Cornelius,
I nderuari zëvendëskryeministër Bislimi,
E nderuar Ministre Rizvanolli,
Të nderuar përfaqësues të mediave,
Dhe të nderuar pjesëmarrës,

Është kënaqësi – edhe pse një kënaqësi shumë e ftohtë dhe me erë – të jem këtu me ju sot për inaugurimin zyrtar të parkut të erës Selac.
Me këtë investim Kosova ndërmerr hapin e parë të madh drejt një të ardhmeje më të qëndrueshme dhe të larmishme të furnizimit me energji të ripërtëritshme. Ne e mirëpresim me gjithë zemër këtë investim strategjik.

Agjenda e Gjelbër është një nga prioritetet e qeverisë sonë, jo vetëm sepse ajo përfshin një aspekt të rëndësishëm të procesit tonë të integrimit në BE, por veçanërisht sepse ne kemi nevojë të ulim gradualisht përdorimin e qymyrit duke ruajtur pavarësinë tonë energjetike.

Tri aspekte janë të rëndesishme kur bëhet fjalë për këtë investim. I pari është diversifikimi i prodhimit të energjisë pasi prodhimi i energjisë nga ky park me erë do të mbulojë 10% të kapacitetit të instaluar të vendit tonë. I dyti është ulja e emetimeve të CO2 me 247 mijë tonë dhe i treti është se do të kontribuojë në furnizimin e përgjithshëm me energji që ndihmon në plotësimin e kërkesës sonë në rritje, veçanërisht pas krizës energjetike që pasoi këtë dimër. Qeveria jonë i është përgjigjur kësaj krize në një afat të shkurtër, duke bërë subvencionim për konsum të energjisë që i atribuohet familjeve. Megjithatë, është e qartë se në afat të gjatë zgjidhja e vetme e qëndrueshme është investimi në burimet e ripërtëritshme.
Nuk do të kishte një projekt më të mirë për të hapur rrugën si investimi i parë strategjik, se ky.

Së fundi, shfrytëzoj rastin të falënderoj SoWi Kosovo dhe z. Cornelius i cili përfaqëson kompaninë sot këtu. Falënderoj gjithashtu aksionerët e saj, Enlight Renewable Energy, Ilir Grapci dhe Christian Hammeke. Gjithashtu, Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për financimin e këtij projekti të sektorit privat, i cili është më i madhi që kanë financuar deri më tani në Kosovë. Zonja Ministre Baerbock, vizita dhe përkushtimi juaj për zhvillimin e Kosovës vlerësohet shumë.
Faleminderit!