Një mijë euro gjobë për qendrën tregtare në Mitrovicë shkaku i peshës së bukës

Shpërndaje

Drejtoria e Inspekcionit në Komunën e Mitrovicës ka shqiptuar gjobë në vlerë prej një mijë euro ndaj një subjekti afarist.

Siç bëhet e ditur, kjo gjobë është shqiptuar ndaj një qendre tregtare për shkak të peshës së bukës.

Komuna ka njoftuar se buka prej 450 gramësh e vendosur për shitje me çmim prej 35 centësh, nuk është përputhur me peshën e caktuar, pasi që gjatë matjes, pesha e bukëve ka qenë 357 deri në 368 gramë.

“Në vazhdën e inspektimeve të vazhdueshme në subjektet afariste, inspektorët komunal nga sektori i tregut dje kanë shqiptuar gjobë në vlerë prej një mijë euro ndaj një subjekti afarist (qendër tregtare) me lokacion në qytetin e Mitrovicës. Inspektorët komunal kanë potencuar se kjo gjobë është shqiptuar për arsye se produkti bukë 450 gr i vendosur për shitje me çmim prej 0,35 cent, nuk është përputhur me peshën e caktuar, pasi që gjatë matjes në peshore të kalibruar për produkte ka rezultuar se pesha e bukëve në shitje ka qenë 357 gr dhe 368 gr”, thuhet në njoftim.

Me këtë rast, komuna njofton se ky veprim nga ana e inspektorëve është vlerësuar në kundërshtim me ligjin për mbrojtjen e konsumatorit, prandaj është shqiptuar edhe gjoba nga inspektori i tregut.