Maqedoni

Prof. Dr. Hrvoje Juriç nga Universiteti i Zagrebit realizoi vizitë studimore në Universitetin e Tetovës

Shpërndaje

Prej 14 deri më 18 mars 2022 në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Tetovës qëndroi për punë studimore Prof. Dr. Hrvoje Juriç nga Universiteti i Zagrebit, i cili para studentëve dhe stafit akademik ligjëroi në temat “Ideja e njeriut dhe tundimet e humanizmit” dhe “Bioetika dhe Biopolitika”.

Ai gjithashtu realizoi takime me rektorin, Prof. Dr. Reshat Qahilin, kryetarin e Senatit, Prof. Dr. Kushtrim Ahmetin, njëherazi edhe koordinator institucional i rrjetit të CEEPUS-it HR-1107-05-2021, prorektorin për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Prof. Dr. Shefik Shehun, si dhe dekanët e Fakultetit Filozofik dhe Fakultetit Pedagogjik, Prof. Dr. Musa Musain dhe Prof. Dr. Lulzim Mehmedi, si dhe përgjegjësen e Qendrës për Paqe, Mr. Sc. Donika Kamberi, në të cilat takime u bisedua për bashkëpunimet e ardhshme ndërinstitucionale.

Qëndrimi i tij në UT u realizua në kuadër të Rrjetit të CEEPUS-it, HR-1107-05-2021, Filozofia dhe interdisiplinariteti pjesë e të cilit është edhe Programi studimor i Filozofisë i Fakultetit Filozofik.

CEEPUS është Programi i shkëmbimit i Evropës Qendrore për Studime Universitare në rajonin e zgjeruar të Danubit, bazuar në një marrëveshje ndërkombëtare. Ka 15+ shtete anëtare, që aktualisht bashkojnë marrëveshjen aktuale CEEPUS III: Shqipëria, Austria, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Çekia, Hungaria, Maqedonia e Veriut, Moldavia, Mali i Zi, Polonia, Rumania, Serbia, Sllovakia dhe Sllovenia. Gjithashtu janë pjesëmarrës edhe Universiteti i Prishtinës, Universiteti i Prizrenit dhe Universiteti i Pejës.

Aktiviteti kryesor i CEEPUS janë rrjetet e universiteteve të shteteve anëtare të CEEPUS, që realizojnë programe të përbashkëta, brenda të cilave mbulon grantet e mobilitetit për studentët dhe mësimdhënësit e atyre universiteteve.

Prof. Dr. Hrvoje Juriç është profesor ordinar në Departamentin e Filozofisë të Fakultetit Filozofik, Katedra e Etikës në Universitetin e Zagrebit. Ka botuar pesë libra autorialë, një tekst shkollor dhe ka qenë bashkëredaktor i katër revistave shkencore. Përveç kësaj, ai ka botuar rreth pesëdhjetë artikuj shkencorë dhe më shumë se dyqind artikuj profesional, eseistikë dhe publicistikë.

Kryesisht merret me filozofi praktike, etikë dhe bioetikë, por interesat e tij shkencore dhe profesionale përfshijnë gjithashtu filozofinë e teknologjisë, filozofinë e natyrës, filozofinë e medies, hermeneutikën filozofike, teorinë feministe dhe gjinore dhe çështjet socio-politike.

Temat e ligjëruara nga ana e tij u ndoqën me vëmendje nga studentët dhe stafi i Fakultetit Filozofik, që njëherësh ngjallën edhe debate interesante.