Zv.kryeministrat në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut: Fokusohemi në sundim të mirë dhe realizim të projekteve infrastrukturore

Shpërndaje

Zëvendëskryeministrat në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut sot i prezantuan realizimet e tyre në 100 ditët e para nga mandati i tyre.

Në Forumin 100 ditë Qeveri, përmes formatit pyetje dhe përgjigje, zëvendëskryeministri i Parë dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, Artan Grubi theksoi se në këtë periudhë llogaridhënëse lajtmotiv për Qeverinë ishte stabiliteti i arritur përmes partneritetit me NATO-n, BE-në dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Stabiliteti për këtë Qeveri, është edhe kujdesi për jetë të përbashkët të të gjitha bashkësive etnike në vend dhe paqen sociale ku si theks u vendosën masat që u sollën në 100 ditët e para nga mandati.

“Tërë kohën në 100 ditët e para u fokusuam edhe në projektet më të rëndësishme infrastrukturore të Korridorit 8. Së shpejti, pas përzgjedhjes së një konsulenti, do të nënshkruhet marrëveshja me kompaninë Behtel, sipas së cilës në fillim të korrikut, këtë verë do të fillojnë punimet e autostradës nga Korridori 8 dhe Korridori 10A”, theksoi zëvendëskryeministri i Parë, Artan Grubi dhe theksoi se në projekte infrastrukturore në dy vitet e fundit janë investuar mbi 2 miliardë euro.

Zëvendëskryeministrja e ngarkuar për politika të qeverisjes së mirë Sllavica Gërkovska në ngjarjen kushtuar 100 ditëve të para të Qeverisë iu referua qeverisjes së mirë, transparencës dhe llogaridhënies dhe theksoi se ato mbeten udhërrëfyes në të gjitha fushat e punës si prioritet i Qeverisë.

“Krijimi dhe zbatimi i politikave për qeverisje të mirë duhet të jetë imperativ nëse duam të sigurojmë profesionalizëm, efikasitet dhe transparencë në funksionim dhe përparim të përgjithshëm shoqëror. Krijimi i politikave të suksesshme të qeverisjes së mirë kërkon bashkëpunim të ndërsjellë me të gjitha palët e interesuara. Për këtë qëllim, ne punojmë në koordinim me partnerët tanë ndërkombëtarë, shoqërinë civile dhe institucionet përkatëse, si Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Enti Shtetëror për Revizion, Byroja për Prokurim Publik dhe Këshilli i Inspektimit, për të identifikuar dobësitë dhe për të krijuar zgjidhje për tejkalimin e tyre”, theksoi zëvendëskryeministrja e ngarkuar për politika për qeverisje të mirë, Gërkovska.

Ajo potencoi se në 100 ditët e para është avancuar transparenca në të gjitha sferat, veçanërisht në shpenzimin e mjeteve buxhetore.

“Mediat, qytetarët, sektori joqeveritar duhet të kenë informacione të shpejta dhe lehtësisht të qasshme se si bëhet prokurimi publik. Kjo mundëson kontroll të shtuar, por edhe transparencë më të madhe në shpenzimin e parave publike”, tha zëvendëskryeministrja e ngarkuar për politika të qeverisjes së mirë, Sllavica Gërkovska në ngjarjen kushtuar 100 ditëve të para nga puna e Qeverisë.

Zëvendëskryeministri Bytyqi, i ngarkuar për çështje ekonomike, koordinim të resorëve ekonomikë dhe investime, foli për rritjen e pagës minimale si hap i rëndësishëm historik i cili ndikoi edhe në rritjen e pagave të tjera.

“Vetëm përmes dialogut mund të arrijmë zgjidhje të qëndrueshme. Përfundoi koha e marrëveshjeve në katër sy. Në dy muajt e parë përmes bisedës arritëm një rritje të pagës minimale dhe një metodologji të re për llogaritjen e pensioneve. Pagat në sektorin publik do të rriten, sipas nenit 8a nga Ligji për pagën minimale dhe kemi 6 muaj për këtë. Kemi nisur negociatat për hartimin e Marrëveshjes së re të përgjithshme kolektive për të gjithë të punësuarit në sektorin publik. Ajo që është më e rëndësishme në këtë proces është që të marrim një zgjidhje sistematike dhe të zgjidhim këtë çështje”, tha Fatmir Bytyqi, zëvendëskryeministër i ngarkuar për Çështje Ekonomike dhe Investime.

Për aktivitetet lidhur me implementimin e projekteve kapitale me rëndësi strategjike për vendin, Bytyqi theksoi se është krijuar Njësi për ndjekjen e projekteve kapitale infrastrukturore.

“Zhvillimi vijon vetëm me zgjidhje sistemike, prandaj krijuam Njësinë për ndjekjen e projekteve kapitale infrastrukturore. Kjo Njësi do të monitorojë dhe do të ndjek zbatimin e investimeve kapitale strategjike në vend, gjë që do të mundësojë zbulimin dhe menaxhimin në kohë të të gjitha sfidave aktuale dhe potenciale me të cilat përballemi në përdorimin e buxhetit për investime kapitale. Për qytetarët tanë do të thotë rrugë më e mirë dhe më cilësore, ujësjellës, hekurudha, shkolla, kopshte, kanalizime, impiante, diga, sisteme për ujitje dhe shumë objekte të tjera kapitale që do të planifikohen, buxhetohen, projektohen dhe do të realizohen”, theksoi zëvendëskryeministri i ngarkuar për Çështje Ekonomike dhe Investime Fatmir Bytyqi në Forumin 100 Ditë të Qeverisë.

Zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Mariçiq në këtë pjesë nga Forumi 100 ditë Qeverisë u përgjigj në më shumë pyetje me fokus në zgjerimin e BE-së me Ballkanin Perëndimor dhe për përparim në bisedimet me Bullgarinë.

“Ne presim që Bashkimi Evropian të fillojë të flasë për të ardhmen e zgjerimit me hapa konkretë, të cilët me siguri do t’i japin një ton të ri negociatave me Bullgarinë. Dialogu mbetet në nivel të lartë pavarësisht zhvillimeve të fundit që kanë ngjallur ndjenja të ndryshme te qytetarët tanë, të cilët padyshim synojnë të testojnë marrëdhëniet mes dy vendeve dhe popujve dhe të komplikojnë procesin e negociatave”, tha zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bojan Mariçiq.

Mariçiq foli edhe për gatishmërinë e vendit për proceset integruese evropiane që do të na mundësojnë hapjen dhe mbylljen më të shpejtë të kapitujve të negociatave.

“Si rezultat i gati dy dekadave të zbatimit të Marrëveshjes së stabilizim dhe asocim, sipas analizave të SÇE-së mund të themi se kemi rreth 45% të përputhshmërisë, që është një shifër mjaft e lartë duke pasur parasysh se ende nuk kemi filluar negociatat aderuese. Sipas analizës së SÇE-së (e cila bëhet në bazë të Metodologjisë së standardizuar) gatishmëria totale në mënyrë kumulative për të gjitha vitet e kaluara sipas klasterëve, padyshim tregon se Maqedonia e Veriut ka gatishmërinë më të lartë në rajon (me një notë mesatare prej 3,02) në fushat dhe kapitujt e Klasterit 1 Themelet”, theksoi Mariçiq.