Konstatohen keqpërdorime të shumta në Gjimnazin e Tetovës

Shpërndaje

Komuna e Tetovës dyshon për keqpërdorime të shumta në Gjimnazin e qytetit.

Siç mësojnë mediat revizioni i brendshëm i komunës ka konstatuar lëshime të shumta të punës së drejtoreshës së gjimnazit Teuta Lalla.

Në këtë institucion punët ndërtimore janë realizuar pa kontratë paraprake, ndërkohë edhe furnizimi me materiale ndërtimore prej rreth 300 mijë denarësh është kryer në mënyrën e njëjtë.
Ndërkohë përzgjedhja e operatorit ekonomik për realizimin e punëve ndërtimore është bërë pa u dorëzuar garanci bankare nga i njëjti.

Në raportin e revizionit gjithashtu theksohet se nuk është formuar komision për furnizimin me naftë, përkatësisht për sasinë të cilën e blen gjimnazi. Kreu i Komunës, Bilall Kasami tha se do të merren masa pasi zyrtarisht raporti final të mbërrij në duart e tij.

“Draftin e revizionit e kam pa, ka keqpërdorime, por nuk dua të paragjykoj para se të marrim komentin konform Ligjit për atë drejtoreshë. Pra kur do arrij raporti final atëherë do dalim edhe me koment publik. Unë pres raportin final të revizionit dhe konform asaj do të vazhdojmë më tutje, me procedime të cilat do jenë edhe rekomandime të revizionit nëse do konstatohen shkelje, të cilat nënkuptojnë edhe procedimin e mëtejm me padi penale”, tha Bilall Kasami, kryetar i komunës së Tetovës.

E kontaktuar nga Alsat, drejtoresha e Gjimnazit të Tetovës, Teuta Llalla nuk pranoi të prononcohet para kamerave, por tha se për të gjitha dyshimet për keqpërdorime janë dërguar arsyetimet.

Llalla theksoi se gjatë kohës që ajo drejton Gjimnazin, nuk është bërë asnjë shkelje më e vogël. Ndërkohë, revizion ditëve të fundit do të bëhet në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme të Tetovës, për keqpërdorime eventuale./Alsat/