Kurti publikon vendimet për masat e reciprocitetit ndaj Serbisë, njëra u vendos sot e tjetra u vazhdua

Shpërndaje

Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar në faqen e tij në Facebook për masat e reciprocitetit që u vendosën sot ndaj Serbisë, lidhur me dokumentet personale të lëshuara nga Serbia dhe vazhdimin e reciprocitetit për targat.

Kurti ka publikuar të dy vendimet, derisa edhe ka dhënë shpjegime për to.

“Me vendim të qeverisë sot rregulluam kalimin e kufirit shtetëror për qytetarët me dokumente personale të lëshuara nga autoritetet e Serbisë, si dhe veturat me targa të regjistrimit të Serbisë. Çdo person që paraqitet për kalim të kufirit shtetëror me dokument të identifikimit personal të lëshuar nga autoritetet e Serbisë, në pikë-kalimet kufitare do të pajiset me një fletë-deklarim që përkohësisht e zëvendëson përdorimin e dokumentit të tillë.

Ndërsa automjetet me targa të regjistrimit të Serbisë që paraqiten për kalim të kufirit shtetëror dhe kanë për qëllim të lëvizin në territorin e Republikës së Kosovës, duhet të vazhdojnë të kenë të vendosur ngjitësin në pjesën e simboleve dhe emërtimit shtetëror. Ky mekanizëm do të vlejë deri me 31 tetor 2022”, ka shkruar Kurti.

Ai ka folur edhe për vendimin tjetër që u miratua në mbledhje, lidhur me regjistrimin e automjeteve.

“Ndërkaq përmes një vendimi tjetër në mbledhjen e sotme mundësuam regjistrimin e automjeteve me targa RKS për të gjitha automjetet e pajisura me targat “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” nga 10 qershori 1999 deri më datë 21 prill 2022. Regjistrimi do të fillojë më 1 gusht 2022 dhe do të zgjasë deri më 31 shtator 2022. Ky vendim ka karakter të papërsëritshëm pas përfundimit të periudhës së vlefshmërisë”, ka shkruar Kurti.