Publikohet dokumenti francez, Petkovi lejon BE-në të çel negociatat me RMV-në

Shpërndaje

Në dokumentin që ka publikuar agjencia e lajmeve bullgare BGNES, shihet se asnjë nga qëndrimet aktuale bullgare nuk është përfshirë në projektvendimin e Këshillit Evropian për fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut.

Asnjë nga kushtet bullgare të listuara në Paragrafin Kornizë të vitit 2019 nuk figuron në projektvendimin e Këshillit Evropian për fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Kushti i vetëm që mbetet është përfshirja e bullgarëve në Kushtetutën e Maqedonisë.

Të gjitha kushtet e tjera, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me objektivizimin e historisë së përbashkët, gjuhën e urrejtjes në tekste dhe media, rehabilitimin e viktimave të regjimit komunist ndaj qytetarëve me identitet bullgar, nuk figurojnë fare në projektvendim. Asnjë nga kushtet bullgare nuk është paraparë në kornizën e negociatave, edhe mungesa e garancive për zbatimin e obligimeve të marra nga Shkupi.

Siç shkruan BGNES, Franca njoftoi se do t’u dorëzojë një propozim formal të gjitha vendeve anëtare për heqjen e vetos për Maqedoninë e Veriut dhe më pas kryeministri bullgar Kiril Petkov do ta dërgojë propozimin francez në Asamblenë Kombëtare të Bullgarisë.

Më 16 qershor 2022, Asambleja Kombëtare priti një takim të ambasadores franceze Florence Robin me deputetë të Grupit të Miqësisë mes Bullgarisë dhe Francës.

Në takimin, i cili filloi në orën 11:00, ajo tha se brenda pak orëve do të dorëzohet propozimi francez për heqjen e vetos së Bullgarisë për fillimin e negociatave mes Maqedonisë dhe Bashkimit Evropian dhe shpreson që ato të votohen në ditët në vijim.

Në fillim të mbledhjes së Këshillit të Ministrave të mërkurën, Petkov lexoi kërkesën, e cila u pranua menjëherë, “propozimi i kryesisë franceze që menjëherë t’i dërgohet Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme”. Me këtë lëvizje, Petkov, përveç izolimit të të gjithëve nga kjo çështje e rëndësishme, përfshirë edhe Ministrinë e Punëve të Jashtme, praktikisht fsheh nga opinioni bullgar gjithçka për të cilën ka rënë dakord individualisht dhe vazhdon të negociojë me diplomatët e huaj.

Burimi i lajmit: Петков допуска ЕС да започне преговори с РСМ, потъпквайки българските условия