Rama paralajmëron kryebashkiakët: Nëse s’përmbushen detyrimet financiare, i marrim nën administrim bashkitë

Shpërndaje

Kryeministri Edi Rama u shpreh këtë të premte që nëse bashkitë nuk përmbushin detyrimet financiare në raport me disiplinën financiare, qeveria do të marrë masa, duke i marrë ato nën administrim. Sipas tij, në këtë mënyrë funksionon e gjithë bota. Deklaratat kreu i qeverisë i bëri gjatë një takimi me kryetarët e bashkive, ndaj të cilëve nuk i kurseu kritikat sa i përket performancës financiare.

“Ne do të marrim masa në rast të mospërmbushjes së detyrimeve financiare në raport me disiplinën financiare. Siç bën gjithë bota. Duke i marrë bashkitë në administrim, siç bëhet në Itali e Francë, kur bashkitë shkojnë në kolaps dhe situata financiare bëhet një gropë që nuk mbushet dot më duke bërë sikur nuk e sheh. Nga ana tjetër, nuk do kalojnë dot buxhete në këshille bashkiakë që nuk janë brenda parametrave financiarë dhe garantojnë stabilitetin financiar të bashkive”, u shpreh Rama.

Kryeministri tha se kjo pamje e bashkive vjen edhe për shkak të një situate të trashëguar. Por duke marrë shembujt e atyre bashkive që e kanë ndryshuar këtë situatë për mirë, Rama tha se ky është tregues se me lidership dhe përgjegjshmëri kjo është diçka e arritshme.

“Kjo pamje nuk është pamja juaj vetëm, sepse është e trashëguar, por në atë zonën jeshile shumë nga bashkitë janë sot për shkak të kryetarëve të bashkive që janë këtu të pranishëm. Që e kanë trashëguar situatën më keq dhe sot e kanë bërë më mirë me lidership dhe përgjegjshmëri. Kjo tregon që kjo bëhet”, tha kreu i qeverisë. /tvklan.al