Rexhepi thumbon Gashin: Kërkojeni mandatin nga ai që fal ‘suksesit’ të tij si deputet dhe ‘lider’, në të gjitha sondazhet dhe anketat partia është e fundit

Shpërndaje

Deputeti i pavarur, Skënder Rexhepi-Zejdi, sot përmes një shkrimi në Facebook, i ka kërkuar disa llogari të parit të Alternativës, Afrim Gashi.

Ai përveç të tjerash, i ka kërkuar Gashit, që ta kthejë mandatin e deputetit, duke thënë “mos e vajtoni mandatin e deputetit sepse ofendoni të gjithë ata votues dhe përkrahës politik”.

Më poshtë e keni reagimin e deputetit Skender Rexhepi:

Të dashur aktivistë dhe pjestar të strukturave partiake.

Kam heshtur që nga data 05 prill 2021 (dita kur në mungesën time u bënë “reformat” partiake);

Kam heshtur që t’i jap mundësi “reformuesit” që me këto reforma ta rrisë partinë, por ndodhi e kundërta fuqia strukturore e partisë u tkurr;

Kam heshtur që, nga ju të dëgjoj zërin kritik ndaj “reformave” që dëmtuan partinë si dhe ndaj qasjes së privatizimit të partisë nga ana e “liderit” dhe klanit të tij.

Prandaj, sot mos e vajtoni mandatin e deputetit sepse ofendoni të gjithë ata votues dhe përkrahës politik.

Në vend që të vajtoni mandatin e deputetin, sëbashku të vajtojmë thyerjen e shpresës së mijëra të rinjve, shpresës për ndryshim dhe për një ardhmëri më të mirë të shoqërisë së përvuajtur shqiptare.

E pastaj, nëse duhet të kërkohet mandati i deputetit, sëpari kërkojeni ate nga “lideri” i partisë i cili plot dy vite është deputet dhe nuk ka as edhe një fjalim të vetëm qoftë në seanca parlamentare, qoftë në komisione parlamentare. Pyeteni atëherë, për çfarë i duhet atij mandati i deputetit?

Kërkojeni mandatin nga ai i cili brenda një viti të fundit, tre herë ndryshoi sekretarët e përgjithshëm dhe nënkryetarët e partisë ndërsa vet mbeti i pandryshueshëm. Pyeteni si e “harroi” fjalën – llogaridhënie?

Kërkojeni mandatin nga ai që me “reformat” partiake arriti që, nga zgjedhjet parlamentare 2020 deri në zgjedhjet lokale 2021, ta përgjysmojë fuqinë elektorale të partisë dhe të mbetemi partia e vetme që nuk ka fituar asnjë komunë?

Kërkojeni mandatin nga ai që nga partia arriti të largoj themeluesit e organeve lokale nga Kumanova, Likova, Buteli, Çairi, Studeniçani, Saraji, Zhelina, Bogovina, Tetova, Gostivari, Vrapçishti, Dibra e Struga?

Kërkojeni mandatin nga ai që fal “suksesit” të tij si deputet dhe “lider”, në të gjitha sondazhet dhe anketat partia është e fundit.

Dhe po, në momentin që “lideri” i partisë I PARI të dorëzojë mandatin e deputetit, unë bëhem i dyti, pavarësisht faktit që jam munduar gjithmonë t’i shërbej nevojave të votuesve tonë dhe të ngrej zërin kritik qoftë nga pozicioni i opozitës, qoftë nga ai i pozitës.