Edhe një karrotrec “privat” në Tetovë/ 70% e fitimit shkon për kompanitë, 30% për komunën

Shpërndaje

Në Tetovë sot ka filluar të funksionojë karrotreci i tretë që mbledh veturat e parkuara keq. Njëri është i komunës, ndërsa dy të tjerët janë të dhëna përmes prokuorimi publik. Marrëveshja parasheh që 70% e parave që mblidhen i takojnë kompanisë private, ndërsa vetëm 30 % shkojnë në llogarinë e ndërmarrjes së parkingjeve.

Të dhënat e prokurimeve publike tregojnë se kompania “Bes Auto Transport” ka nënshkruar marrëveshjen me Ndërmarrjen Parkingu i qytetit më 26 maj 2022, ndërsa të dhënat e Regjistrit Qendrorë tregojnë se kjo kompani është themeluar vetëm dy muaj përpara. Marrëveshje është lidhur në afat prej 24 muajsh, me mundësi vazhdimi.

Edhe pse në kontratën e nënshkruar thuhet se këta automjete do të angazhohen vetëm në bazë të nevojës, në terren mund të shihem vetëm këto dy automjete siç duket në këto pamje.

Një marrëveshje të njëjtë Parkingu i Qytetit të Tetovës ka nënshkruar edhe me kompaninë “Kompas” më 28 qershor, ndërsa prej sot karrotreci i kësaj kompanie ka filluar me punë.

Kryetari i Tetovës, Bilall Kasami, thotë se marrëveshjet që janë nënshkruar kanë qenë publike dhe transparente, ndërsa shton se nëse ka nevojë do sjellin edhe automjete të tjera.

“Me procedurë transparente përmes thirrjes publike ndërmarrja e parkingut ka kërkuar me furnizim të automjeteve shtesë njëra më herët është siguruar edhe tash është siguruat tjetra, nëse vlerësojmë se do kemi nevojë ne do furnizojmë me automjete tjera në vazhdimësi, që ndërmarrja për menaxhim me parkimet të jetë në funksion të zhbllokimit të komunikacionit në Tetovë dhe ndërmarrja e parkimit të funksionojë në përputhje me vendimin e Këshillit që e ka përgjegjësi institucionale.”- deklaroi Bilall Kasami, Kryetar I Komunës Tetovës.

Në Tetovë nëse je parkuar keq dhe veturën ta merr karrotreci, duhet të paguash 1800 denarë. Kjo nënkupton se 1400 denarë i merr kompania private, ndërsa 400 denarë shkojnë në llogari të ndërmarrjes së parkingjeve. Kjo e fundit ka mbi 60 të punësuar, ndërsa vitin e kaluar kjo kompani mori hua për të paguar rrogat e të punësuarve. Në fund të vitit kishte një borxh 180 mijë euro.