PE-ja miraton rezolutën: Marrëveshja Kosovë-Serbi të bazohet në njohje të ndërsjellë

Shpërndaje

Parlamenti Evropian ka miratuar rezolutën ku thuhet se marrëveshja përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë duhet të “bazohet në njohjen të ndërsjellë”.

Kjo është hera e parë që në një dokument të institucioneve evropiane përmendet njohja reciproke. Pesë shtete të BE-së nuk e njohin Kosovën, por PE-ja është institucioni i vetëm që e trajton Kosovën si shtet.

Megjithatë, rezolutat e miratuara nuk janë dokumente obliguese për shtetet e BE-së.

Në seancën e PE-së u miratuan raportet për Kosovën, Serbinë dhe Bosnjë e Hercegovinën. Në tri raportet u bë thirrje për mbështetje të perspektivës evropiane të këtyre vendeve.

“Raportet me Serbinë duhet të normalizohen përmes marrëveshjes e cila duhet të bazohet në njohjen e ndërsjellë”, ka thënë deputetja gjermane, Viola von Cramon, e cila ka hartuar raportin për Kosovën.

Në raportin për Kosovën sërish bëhet thirrje për liberalizimin e vizave.

“Vota e sotme dëshmon përkushtimin e Parlamentit për integrimin e Kosovës në BE dhe jep një udhëzim se si mund të zbatohen standardet evropiane në Kosovë. Kosova ka dëshmuar në vazhdimësi përkushtimin për të avancuar në reformat e lidhura me BE-në dhe është pozicionuar qartë si një partner i besueshëm, i fuqishëm i lidhur me aleancën evropiane dhe transatlantike. Për fat të keq, BE-ja ka dështuar që të sigurojë lëvizjen pa viza për qytetarët e Kosovës. Unë shpresoj vërtetë se ky është raporti i fundit ku përmendet dështimi i liberalizimit të vizave”, ka thënë Von Cramon.

Votimi i raporteve për Kosovën, Serbinë dhe Bosnjë e Hercegovinën pason debatin e mbajtur një ditë më parë për këto dokumente.

Me rezolutën e miratuar, përfaqësuesit evropianë u bëjnë thirrje autoriteteve në Serbi “të tregojnë përkushtim real ndaj vlerave të BE-së dhe të harmonizohen me vendimet dhe qëndrimet e BE-së në politikën e jashtme dhe politikat e sigurisë, duke përfshirë sanksionet kundër Rusisë”.

Serbia është i vetmi shtet në rajon që nuk ka vendosur sanksione ndaj Moskës, pas nisjes së pushtimit të Ukrainës.

Autoriteteve të Beogradit u kujtohet se progresi në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën do të përcaktojë ritmin e negociatave për anëtarësim.

Ndërkaq përsëritet mbështetja për dialogun dhe rëndësia e angazhimit konstruktiv të autoriteteve serbe dhe të Kosovës për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme për normalizimin, e cila është thelbësore për të dy vendet që të avancojnë në rrugët e tyre evropiane. Raporti gjithashtu bën thirrje për respektimin dhe zbatimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve të mëparshme, përfshirë Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Parlamenti Evropian përmes rezolutës i bën thirrje autoriteteve serbe që të veprojnë kundër glorifikimit të kriminelëve të dënuar të luftës dhe të ndalojnë çdo retorikë dhe veprim që cenon integritetin e vendeve fqinje dhe kërcënon stabilitetin dhe pajtimin rajonal. Aty po ashtu shprehet keqardhje për presionin e vazhdueshëm ndaj gjyqësorit dhe mohimin publik të vendimeve ndërkombëtare për krime lufte dhe i bëhet thirrje shumicës së sapozgjedhur që të forcojë garancitë për pavarësinë dhe efikasitetin e gjyqësorit si prioritet./REL